“Dyert e mbyllura të Uashingtonit”/ Trump i kthen shpinën BE-së, Meloni e shqetësuar në pritje të takimit

0

ITALI – Një përplasje e re tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian duket se po merr formë, pas refuzimit të presidentit amerikan Donald Trump për të pranuar propozimin e Brukselit për eliminimin e të gjitha tarifave mbi mallrat industriale, përfshirë automjetet.

Vendimi i Uashingtonit ka trazuar ujërat në kulmin e një vizite të ndjeshme diplomatike të Kryeministres italiane Giorgia Meloni, e cila ndodhet në SHBA për një takim të rëndësishëm me presidentin amerikan.

“Është një moment i vështirë, le të shohim se si do të shkojë në orët e ardhshme,” tha Meloni gjatë një fjalimi në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Leonardo në Villa Madama, vetëm pak orë përpara nisjes për në Uashington. Me një ton ironik, ajo shtoi: “Nuk ndjej asnjë presion siç mund ta imagjinoni për dy ditët e ardhshme…”.

Sipas raportimeve të agjencisë Bloomberg, bisedimet mes BE-së dhe SHBA-së kanë ngecur, me zyrtarët amerikanë që nuk janë të gatshëm të heqin tarifat aktuale. Edhe pse Brukseli ofroi një heqje të plotë të tarifave mbi mallrat industriale, Uashingtoni ka sinjalizuar se do të ndjekë një qasje më selektive, duke sugjeruar se disa tarifa mund të balancohen përmes rritjes së eksporteve dhe investimeve, por jo të anulohen menjëherë.

Kjo lëvizje shihet nga ekspertët si një sinjal i qartë se SHBA është e gatshme të mbajë një qëndrim të ashpër në mbrojtje të industrive të saj vendase, pavarësisht përpjekjeve të BE-së për bashkëpunim dhe ulje të tensioneve tregtare.

Vizita e Giorgia Melonit në Uashington është bërë edhe më delikate pas këtij zhvillimi. Ajo shkon në një klimë të ftohtë politike dhe tregtare, ku marrëdhëniet BE–SHBA janë në një pikë kritike. Takimi i saj me Trump pritet të jetë një provë diplomatike, ku ajo do të përpiqet të mbrojë interesat italiane dhe evropiane, duke kërkuar qartësi mbi pozicionin amerikan dhe mundësitë për bashkëpunim më të thelluar.

Ndërkohë, në Bruksel është shtuar presioni për një përgjigje të unifikuar nga vendet anëtare të BE-së për të përballuar këtë qëndrim amerikan, i cili rrezikon të çojë në një valë të re përplasjeje tregtare që mund të ketë pasoja afatgjata për industrinë e prodhimit dhe eksportit europian.