Përplasja e policisë me njerëzit e ish-kryebashkiakut Agron Kapllanaj në Fier, vjen sqarimi i BKH-së

0

Një përplasje ka ndodhur sonte në Fier mes forcave të policisë dhe njerëzve të Agron Kapllanajt, ish-kryebashkiakut të Ballshit, ndërsa janë shoqëruar sonte pesë persona

Mësohet se oficerë të BKH-së dhe punonjës të forcave operacionale kanë qenë me shërbim dhe kanë ngritur një dron në hyrje të Fierit që ka shkuar pranë bizneseve të ndërtuesit Shkëlqim Kapllanaj, i afërm i Agron Kapllanaj, ish-kryebashkiak i Ballshit dhe ish-eksponent i Partisë Demokratike.

Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha raporton se ngjarja ka ndodhur rreth orës 21.00 në lagjen 1 maji kur situata është tensionuar dhe më pas punonjësit e biznesit të ndërtimit mësohet se janë përplasur fizikisht me Forcat Operacionale.

Nga informacionet paraprake mësohet se dëshmitarët gjatë marrjes në pyetje në polici kanë thënë se sherri ka nisur për parkim të gabuar të disa automjeteve pranë bizneseve të ndërtuesit Shkëlqim Kapllanaj, ndërsa dikush tjetër ka përmendur edhe ngritjen e një droni.

Punonjësit e Operacionales kryen kallëzim duke pretenduar sulm për shkak të detyrës.

Burime nga Byroja Kombëtare e Hetimit thonë se asnjë agjent i tyre nuk është i përfshirë në përplasje. BKH thotë se në vendngjarje ka qenë një agjent i pranishëm, siç janë ndarë nëpër qarqe për krimin zgjedhor, por që agjenti nuk është përfshirë në këtë ngjarje.