Shënjestër e atentatit në Tiranë? ZBARDHET DËSHMIA e bashkëshortes së Roan Brahimit

0

Ka dëshmuar sot përpara autoriteteve bashkëshortja e Roan Brahimit, i ekzekutuar në maj të vitit 2024 nga një atentat mafioz në zemër të Athinës, ndërsa vetëm mbrëmjen e djeshme u vra nga një breshëri plumbash dhe babai i tij, Gjovalin Prendi në fshatin Pllanë të Lezhës.

E ndërsa mbrëmjen e djeshme u ekzekutua babai i tij, një tjetër atentat u raportua në kryeqytet ku mendohet se shënjestër të ketë qenë bashkëshortja e Brahimit, por objektivi është ngatërruar dhe pre kanë rënë 4 persona të pafajshëm, mes tyre dhe 2 të mitur. Nga ajo çfarë është raportuar së fundmi në media, kemi të bëjmë me nje sagë hakmarrjesh nisur që nga ekzekutimi mafioz i Roan Brahimit një vit më parë.

Bashkëshortja e Roan Brahimit ka deklaruar përpara autoriteteve se nuk ka konflikte të hapura me askënd dhe se nuk e ka idenë se kush mund të jenë autorët që kanë kryer vrasjen e vjehrrit të saj, apo ato që fshihen pas atentatit të ndodhur në Tiranë. Ndër të tjera në dëshminë e dhënë, Beqo nuk ka përjashtuar dhe konfliktet e bashkëshortit të saj, Roan Brahimit alias Sidorel Prendi.

Theksojmë që sipas burimeve për media, breshëria e plumbave që u zbrazën një natë më parë në drejtim të automjetit me të cilin po udhëtonin dy djemtë e presidentit të “Pelikan Security” Vesel Demirajt , Dior Demiraj, 11 vjeç, Marko Bardhi Demiraj, 17-vjeç, shoku i tyre 19-vjeçar, Kian Mullaj dhe punonjës i kompanisë “Pelikan Security”, Arenc Stafa, në të vërtetë ishin nisur për gruan e Roan Brahimit.

Hetuesit dyshojnë se grupi i vrasësve me pagesë kanë pasur të programuara dy plane, eleminimin e disa familjarëve të familjes Prendi. Pra, ekzekutimin e babait të Roan Brahimit, 64-vjeçarin Gjovalin Prendi dhe të bashkëshortes së 32-vjeçarit.

Gjatë atentatit të parë, autorët arritën objektivin, duke ekzekutuar me breshëri plumbash Gjovalin Prendin, ndërsa për bashkëshorten e Brahimit, koincidenca e ngjashmërisë së makinës ka bërë të ngatërrohet tërësisht objektivi.

Burime për mediat bëjnë me dije se gruaja e Roan Brahimit jeton në të njëjtën lagje me familjen e presidentit të “Pelikan Security”, Vesel Demirajt.