U kap duke transportuar emigrantë të paligjshëm/ Në pranga siriani 18-vjeçar

0

Finalizohet operacioni policor i koduar “Lugina 2”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt pagesës.

Një shtetas sirian është vënë në pranga. Ky shtetas ndihmonte emigrantë nga Vendet e Treta, që të kalonin ilegalisht kufirin jeshil me Greqinë, me qëllim kalimin në Mal të Zi dhe më pas në vendet e BE-së.

Shtetasi sirian u kap në flagrancë gjatë natës, në fshatin Vidohovë, duke shoqëruar 6 shtetas egjiptianë dhe sirianë (4 prej të cilëve ishin të mitur).

Nga hetimet e thelluara të kryera prej disa muajsh rezulton se ky shtetas e ka kryer disa herë këtë veprimtari kriminale, më parë, por emigrantët janë kapur nga shërbimet policore, në tentativë për të kaluar drejt Malit të Zi.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë dhe me Prokurorinë e Korçës, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Lugina 2”. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi sirian: 18 vjeç, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, thuhet në njoftimin e policisë.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.