Korçë- Finalizohet faza e dytë e operacionit policor të koduar “Shufrat”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike.
Nga hetimet, dokumentohet përfshirja e 4 shtetasve të tjerë, në këtë veprimtari kriminale. Si pasojë janë ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për 2 prej tyre, shpallen në kërkim 2 të tjerët. Gjithashtu, është ekzekutuar masa “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a një shërbimi publik”, për një punonjës të DPSHTRR, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Gjatë operacionit është sekuestruar edhe 1 automjet i dyshuar i përdorur në këtë veprimtari kriminale. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas bashkëpunonin me 2 shtetasit që u arrestuan më datë 18.11.2024, pasi tentuan të trafikonin në Greqi, 56 kg cannabis sativa, që e kishin fshehur në 44 shufra metalike të montuara në tavanin e kamionit.
“Si rezultat i një hetimi 6-mujor të kryer me metoda proaktive, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Korçë, në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, për një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike, në Greqi, u finalizua faza e dytë e operacionit policor antidrogë të koduar “Shufrat”. Gjatë kësaj faze: – u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit 38 vjeç, banues në Tiranë dhe 62 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. (Shtetasi I. O., aktualisht i arrestuar në Malin e Zi, për të njëjtën vepër penale);
– u shpallën në kërkim shtetasit 39 vjeç, banues në Tiranë dhe 24 vjeç, banues në Durrës, për të cilët Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, u ekzekutua masat e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a një shërbimi publik”, për shtetasin 63 vjeç, banues në Tiranë, punonjës i DPSHTRR, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi nga hetimet dyshohet se ka ndryshuar targat dhe pronësinë e automjeteve të përdorura në këtë veprimtari kriminale”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sakaq materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.