Vodhi kompiuterin dhe televizorin në zyrën elektorale të PD në Cërrik, identifikohet dhe arrestohet autori; në pranga edhe bashkëpunëtori

0

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Cërrik, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Elbasanit, kanë finalizuar me sukses operacionin për zbardhjen e një vjedhjeje të ndodhur në ambientet e marra me qira për qëllime elektorale nga subjekti politik “Partia Demokratike”.

Si rezultat i hetimeve, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasit A. M., 36 vjeç, banues në Cërrik, me precedentë penalë të mëparshëm për vepra penale të vjedhjes dhe dhunës në familje. Ky shtetas dyshohet se ka vjedhur gjatë orëve të natës një televizor dhe një kompjuter, të cilat ndodheshin në ambientet e subjektit.

Gjithashtu, u arrestua shtetasi K. Z., 46 vjeç, i cili akuzohet për përvetësimin e kompjuterit të vjedhur, duke konsumuar veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.

Sendet e vjedhura janë sekuestruar dhe iu kthyen në ruajtje subjektit politik përkatës.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme ligjore.