E rëndë në Klos, masivi i kromit zë poshtë punonjësin me fadromë. Ende nuk është gjetur

0

Një ngjarje e rëndë është regjistruar sot rreth orës 14:00 në zonën e njohur si Qafë Burrel, ku një masiv stoku kromi që grumbullohej nga përpunimi i këtij minerali është shembur, duke marrë me vete një fadromë me të cilën po punonte një punëtor.

Policia po vijon kërkimet për gjetjen e tij.

“Rreth orës 14:00, në qafën e Burrelit, në fabrikën e pasurimit të kromit, e marrë me qira nga një shoqëri kineze, shtetasi A.B., teksa po punonte me një automjet fadromë për gërryerjen e një rezervuari, dyshohet se është shembur një masiv dheu dhe, për pasojë, ka zënë poshtë punëtorin bashkë me mjetin e punës. Shërbimet e Policisë dhe ato të ekipit të urgjencës po punojnë për gjetjen e shtetasit A.B. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftimin e policisë.

Nga shembja e stokut është çarë edhe një rezervuar uji që ishte krijuar nga puna e fabrikës së përpunimit të kromit të varfër.

Fabrika kishte disa muaj që ishte marrë me qira nga dy shtetas kinez.