Refuzohet varrosja e 63-vjeçares egjiptiane, kallëzohet kryeplaku i Katjelit

0
Screenshot

 

Kallëzohet penalisht kryeplaku i fshatit Katjel në Njësinë Administrative Rrajcë, Bashkia Prrenjas, pasi akuzohet se nuk lejoi varrosjen e një gruaje nga komuniteti egjiptian në varrezat publike të fshatit.

Ngjarja e paprecedentë, e cila ka shkaktuar tronditje dhe reagime të shumta në opinionin publik, ndodhi këtë javë në Katjel, ku për dy ditë me radhë familjarëve të së ndjerës Sofie Doda, 63 vjeç, nuk iu lejua të kryenin varrimin e saj,për shkak të një vendimi të pleqësisë dhe një pjese të komunitetit që e konsideronin familjen e të ndjerës “jo autoktone”. Ngjarja ka nxitur reagime të shumta në radhët e vetë komunitetit ,të cilët kërkojnë ndalimin e praktikave diskriminuese dhe garantimin e barazisë për të gjithë qytetarët, pavarësisht prejardhjes.

Ndërkohë, Organizata “Drejtësi Sociale”, ka depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan kundër kryeplakut Enver Muça.

Ngjarja ka sjellë në vëmendje nevojën për të adresuar trajtimin e pakicave në zonat rurale dhe respektimin e të drejtave bazë për çdo qytetar, pavarësisht prejardhjes etnike apo statusit shoqëror.