Dy incidente të dhunshme janë shënuar gjatë procesit zgjedhor të sotëm në Pogradec dhe Lushnje, duke rritur tensionet në disa prej qendrave të votimit.
Në qytetin e Pogradecit, pranë qendrës së votimit të vendosur në shkollën “Muhamer dhe Esat Minarolli”, është raportuar një përplasje fizike mes personave të paidentifikuar ende. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e jashtme të shkollës, ndërsa forcat e policisë kanë mbërritur në vendngjarje për të marrë në kontroll situatën dhe për të identifikuar të përfshirët.
Ndërkohë, një incident i ngjashëm është regjistruar edhe në qytetin e Lushnjes, ku një konflikt fizik ka shpërthyer mes komisionerëve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Tensionet, sipas burimeve nga terreni, janë shkaktuar nga mosmarrëveshje në lidhje me mënyrën e zhvillimit dhe mbikëqyrjes së procesit të votimit.
Përplasja ka ndërprerë përkohësisht punën në qendrën përkatëse dhe ka shkaktuar shqetësim mes qytetarëve të pranishëm.
Autoritetet zgjedhore dhe strukturat e rendit po vijojnë ndjekjen e ngjarjeve për të garantuar mbarëvajtjen e procesit dhe parandalimin e incidenteve të tjera.