Procesi i numërimit për subjektet politike në Qarkun e Elbasanit është mbyllur, me përjashtim të tre kutive të fundit që nuk pritet të ndryshojnë ndjeshëm rezultatin. Deri në këtë moment, Partia Socialiste ka siguruar një avantazh të theksuar me 79.799 vota, duke lënë pas Partinë Demokratike me 38.905 vota.
Forca politike “Shqipëria Bëhet” renditet e treta me 4.552 vota, por pa arritur të sigurojë mandat deputeti.
Paralelisht, në Parkun Olimpik po vijon numërimi i votave të diasporës, ku PS kryeson bindshëm edhe në këtë segment.
Bazuar në këto rezultate, ndarja e mandateve në Qarkun e Elbasanit bëhet 10 për PS dhe 4 për PD, duke lënë jashtë Kuvendit kandidatin e listës së sigurtë të demokratëve, Aurel Bylykbashi.
Në nivel bashkish, mbështetja për PS ka qenë veçanërisht e lartë në zonat e vogla. Në Peqin, efekti “Dash Sula” është reflektuar dukshëm, me PS që arrin 71.17% të votave. Në Gramsh, socialistët kanë marrë 69.68%, ndërsa PD ka shënuar rezultatet më të mira në Elbasan dhe Belsh me nga 33% të votave në secilën bashki.
Për t’u veçuar është edhe numri i lartë i votave të pavlefshme, mbi 3 mijë në të gjithë qarkun, një shifër që ngre pyetje për edukimin elektoral dhe qartësinë e procesit.
Ndërkohë, procesi i votës preferenciale pritet të nisë në orën 17:00.