“Beteja do të zhvillohet edhe ndërkombëtarisht”, Berisha: Edi Rama nuk do mund të qëndrojë në atë karrige me zgjedhje të vjedhura

0

Në të njëjtën ditë që në Shqipëri u zhvillua samiti i Komunitetit Politik Europian, Partia Demokratike mbajti një protestë për zgjedhjet e 11 Majit.

Kryetari i selisë blu, Sali Berisha, i kthyer direkt nga Brukseli, tha se “zgjedhjet e 11 Majit ishin botërisht të njohura si farsë elektorale dhe para se të zhvilloheshin.

Njoha miqtë me të gjithë shkeljet monstruoze dhe bindja e përgjithshme ishte se karrigia e Edi Ramës qëndron mbi krimin monstruoz të grabitjes dhe plaçkitjes së zgjedhjeve të qytetarëve shqiptarë. Të dashur miq, forumi botëror i partive të qendrës së djathtë, u njoh me përdorimin nga Edi Rama të bandave më të rrezikshme të Shqipërisë, rajonit dhe Europës. U njoh me listën e kandidatëve të krimit, me në krye Edi Ramën dhe vazhdon me Sara Milen, me ministrin e krimit, me Taulant Ballën, me dhjetëra kandidatë të tjerë të botës së krimit. U njoh dhe u denoncua botërisht përdorimi i qindra milionë eurove për të blerë vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Dhurata 70 milionë euro për votën, falja e 200 milionë eurove të gjobave, mbi gjysmë miliardë euro koncesione dhe prokurime”, deklaroi Berisha.

Ai theksoi se janë disa rezoluta që i dënonin ato.

“Edi Rama nuk bëri gjë tjetër veçse dëshmoi se është një kriminel, një monstër, ndaj vullnetit të lirë të shqiptarëve. Ju garantoj se çdo ditë në këtë betejë ne do arrijmë qëllimet tona”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së paralajmëroi se beteja do të zhvillohet edhe ndërkombëtarisht.

“Kjo betejë do zhvillohet në çdo zyrë të rëndësishme, në çdo qeveri të vendeve të lira në Europë dhe në botë. Kjo betejë do fitohet nga luftëtarët e lirisë, luftëtarët e botës së lirë”, u shpreh Berisha.

“Pra, zgjedhjet në Shqipëri ishin farsa elektorale më e shëmtuar pas rënies së Perdës së Hekurt në Ballkan dhe Europë. Ndaj, dhe ju përshëndes ju dhe u garantoj se Edi Rama kurrë nuk do mund të qëndrojë në atë karrige me zgjedhje të vjedhura, me zgjedhje krimi, me zgjedhje të korrupsionit, por do marrë përgjigjen që meriton dhe që kanë diktator, çdo narkodiktator”, shtoi kreu demokrat.

Teksa Berisha fliste, protestuesit kërkuan edhe qeveri teknike.

Sa i përket saimit të KPE-së, Berisha u shpreh se Rama “i priti ata (liderët evropianë) si hajdut, si plaçkitës, i priti si Toto Riina”.

Të pranishëm ishin edhe disa nga drejtuesit politikë të qarqeve në zgjedhje. Mes tyre edhe Belind Këlliçi. Ky i fundit tha se protesta e sotme është “akti i parë i aksionit politik të PD për demontimin e plotë të farsës elektorale të 11 Majit”.