Një shteg i ri për biçikleta në zemër të natyrës në Fushë Studën të Librazhdit ,aty ku koha ndalon për të apasionuarit e turizmit malor

0

 

Nga Fatmir Popja

Stafi i Agjencisë së Zonave të Mbrojtura (AdZM) Elbasan ka bërë një hap të rëndësishëm drejt promovimit të turizmit të qëndrueshëm dhe të përjetimeve në natyrë duke realizuar me sukses markimin e shtegut të biçikletave në zonën e Fushë Studën, një perlë e fshehur mes maleve dhe pyjeve të dendura të Shqipërisë. Ky shteg i ri i cili ka një gjatësi prej 4 kilometrash ofron jo vetëm një rrugë të sigurtë për dashamirësit e çiklizmit malor, por edhe një përvojë të paharrueshme përmes një peizazhi të mrekullueshëm natyror.Ndërsa ndjek rrugën e shënuar me kujdes nga stafi i Administrata e Zonave të Mbrojtura Elbasan, shtegu të çon nëpër pyje të dendur ahu që në stinën e pranverës dhe verës janë një oaz i vërtetë qetësie dhe freskie. Degët e gjelbra të pyjeve me ah mbi shtegun e ri të hapur në masivin pyjor të Fushë Studës krijojnë harqe natyrale mbi kokë, ndërsa era që përplaset në gjethe sjell me vete aromën e shijshme e ajrin e pastër të natyrës së paprekur. Aktualisht në Parkun Kombëtar Shebenik janë hapur 140 km shtigje ku pedalohet me biçikletë.Çdo pedalim me biçikletë në shtegun e ri është një moment reflektimi, një mundësi për të qenë në harmoni me veten dhe me natyrën.Pamja që ofron lugina e Fushë Studnës është spektakolare. Gjithçka përreth është një kompozim perfekt i toneve të gjelbërta, të ndërthurura me ngjyrat e gjalla të luleve të egra si lulëkuqet,zambakët dhe shkopa e barit, që çelin me bollëk në çdo hap të shtegut. Këtu, koha duket sikur ndalet. Nuk ka zhurmë makinash, nuk ka nxitim .Ritmi i biçikletës dhe cicërimat e zogjve e bëjnë udhëtimin edhe më të bukur.Duke ndjekur rrugën drejt shtegut të ti të hapur posaçërisht për të apasionurit pas turizmit malor përpara të shfaqet liqeni i Fushë Studnës një pasqyrë e qetë që reflekton malet përreth dhe qiellin blu. Është një vend ku njeriu mund të ndalojë për të pushuar, për të soditur bukurinë natyrore dhe për të marrë frymë thellë . Çdo moment aty është një kujtesë e thjeshtë por e fuqishme e asaj se çfarë do të thotë të jetosh në sinkron me natyrën.Kjo zonë mbetet një nga më të ruajturat në Shqipëri dhe falë përpjekjeve të AdZM Elbasan, ajo është gjithnjë e më e aksesueshme për ata që kërkojnë përvoja autentike larg betonit dhe stresit të qytetit. Fushë Studën është vendi ku koha ndalon dhe njeriu kujton çfarë do të thotë të jetosh me frymëmarrjen e natyrës. Kjo nuk është thjesht një shprehje por është një realitet që përjetohet në çdo metër të këtij shtegu të biçikletave.Ky projekt i vogël në dukje, por me ndikim të madh, nuk është vetëm një shteg për biçikleta ,por është një urë midis njeriut dhe natyrës, një thirrje për të ndalur për një çast dhe për të ndier rrahjet e zemrës së Tokës.Javën e kaluar, Shqipëria u promovua bukur si destinacion çiklizmi duke mirëpritur një nga garat më prestigjioze, Giro d’Italia. Çiklizmi, si produkt turistik, ka sjellë një mënyrë të re aventure në të gjithë botën, duke gjallëruar destinacione të reja.Në Shqipëri, gjatë viteve të fundit, janë krijuar disa rute çiklistike, një prej të cilave është UNESCO Cycling Route. Ky itinerar që përshkruan pjesën jugore dhe juglindore të vendit tonë, 1,080 km, ofron peizazhe mbresëlënëse, kulinari të shijshme dhe trashëgimi kulturore të 3 siteve UNESCO, dhe po sjell afërsisht 5,7 milionë euro në vit për ekonominë shqiptare, bazuar në studimin e fundit të kryer nga GIZ Albania në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët lokalë.Shtegu i ri në Fushë Studën është një pjesë e rëndësishme e këtij angazhimi të Shqipërisë për të zhvilluar dhe promovuar turizmin malor dhe çiklizmin si një mundësi për të tërhequr vizitorë nga mbarë bota. Për ata që kërkojnë një përvojë të veçantë në natyrë, ky shteg ofron mundësinë të përjetojnë bukurinë e natyrës së paprekur dhe të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Shqipëri.