GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK, duke kaluar për gjykim dosjen “Partizani”, për të cilën ka qenë nën hetim kreu i PD Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.
Dosja ka qëndruar për 7 muaj në seancë paraprake.
Të akuzuar në lidhje me këtë dosje janë Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina.
Më 13 maj, GJKKO rrëzoi kërkesën e palës mbrotjëse për përjashtimin e gjyqtares Floreja Davidhi nga dosja.
Akuza janë hedhur vazhdimisht edhe ndaj gjyqtares Irena Gjoka, e cila sipas Berishës rezulton e dënuar në Greqi për falsifikim dokumentesh.
Berisha akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.
Malltezi akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim.
Biznesmeni Fatmir Bektashi është i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim.
Xhimi Begeja është i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, ndërsa noterja Andia Pustina është e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale.