Të dyshuar për shpërdorim detyre/ AMP ekzekuton 4 urdhra ndalimi për tre policë dhe një doganier

0

Pas hetimeve disa mujore mbi procedimin penal të vitit 2023, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër – Lezhë) në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor dhe Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, ka ekzekutuar urdhrat e ndalimit për tre punonjës policie dhe një doganier. Këta shtetas janë të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”.

Mësohet se kanë lejuar kalimin e një kamioni me 442 kg kanabis drejt Malit të Zi.

-Leke Çekrezi, punonjës policie në Pikën Kufitare “Hani i Hotit”.

-Fatjon Hamzi, punonjës policie në Pikën Kufitare  “Hani i Hotit”.

– Tonin Melaj punonjës policie në Pikën Kufitare  “Hani i Hotit”.

– Selami Ethemi, me detyrë Doganier në Pikën Kufitare  “Hani i Hotit”.

Urdhrat e ndalimit vijnë pas hetimeve të thelluara me metoda speciale në lidhje me ngjarjen e datës 17/09/2023, ku një kamion me targa shqiptare, pasi ka kryer procedurat e daljes nga Republika e Shqipërisë nëpërmjet Pikës Kufitare “Hani i Hotit”, në kundërshtim me ligjin dhe procedurat standarde, është ndaluar nga policia e Pikës së Kalimit Kufitar “Bozaj”, Mali i Zi, pasi në kamion është gjetur një sasi prej 442.084 kg lëndë narkotike e dyshuar “Canabis Sativa”.