Pas zbulimit të rastit nga policia vendase, Elvis Pupa është arratisur, ndërsa bashkëshortja e tij po përballet me autoritetet.
Belina Pupa është bërë pjesë e një çështjeje penale që lidhet me një pronë në Ascot Park, ku autoritetet gjetën 43 bimë kanabisi, në një periudhë që përfshin muajt janar – prill të vitit 2025.
Ajo u paraqit këtë të martë përpara Gjykatës së Magjistraturës në Adelaide. Deri më tani, bashkëshortja e aktorit nuk ka dhënë një deklaratë për fajësinë ose pafajësinë e saj.
Mbrojtja kërkoi ndryshim të kushteve të lirimit me kusht, duke theksuar nevojën që ajo të udhëtojë në Shqipëri për arsye profesionale, për shkak të angazhimeve që ka me klientë në disa vende, përfshirë Shqipërinë, SHBA-në dhe Australinë.
Prokuroria e kundërshtoi këtë kërkesë, duke përmendur natyrën e rëndë të akuzave dhe faktin që bashkëshorti i saj, Elvis Pupa është në kërkim, pasi ka braktisur vendin.
Gjykata vendosi shtyrjen e seancës për javën e ardhshme, duke lejuar Belina Pupën të qëndrojë e lirë me kusht deri atëherë.
Pupa njihet gjerësisht në publik për angazhimin e saj në fushën e shëndetit mendor dhe për pjesëmarrjen në emisione televizive, ku shpesh promovon mirëqenien psikologjike, sidomos në mesin e komunitetit shqiptar në diasporë.