Babë e bir dhunojnë dhe godasin me sëpatë 58-vjeçarin në Fier, në pranga njëri prej agresorëve

0

FIER- Babë e bir kanë dhunuar fizikisht dhe kanë goditur me sëpatë një 58-vjeçar në Fier.

Policia thekson se i lënduar është transportuar për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Fierit.

Aktualisht është arrestuar njëri prej autorëve të dyshuar të ngjarjes si dhe është shpallur në kërkim i biri si bashkëpunëtor në krim.

Sherri mes tyre ka ndodhur për motive të dobëta, pohoi Policia.

Njoftimi i policisë: 

Tentuan të vrisnin me mjet prerës një shtetas, pas një konflikti për motive të dobëta, vihet në pranga një nga autorët e dyshuar. Punohet për kapjen e autorit tjetër.

Paraditen e djeshme, njoftohemi se në fshatin Shtyllas, është plagosur me mjet prerës një shtetas.

Menjëherë pas njoftimit të marrë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë shkuar në vendngjarje dhe falë reagimit në kohë kapën dhe shoqëruan një nga autorët e dyshuar.

Një 63-vjeçar dhe djali i tij,  dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me sëpatë një 58 vjeçar, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit 63 vjeçarin, për veprën penale “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë.

Po punohet intensivisht për kapjen e djalit të tij, banues në fshatin Shtyllas.

U sekuestrua në cilësinë e provës materiale mjeti prerës (sëpatë), me të cilën autorët goditën 58-vjeçarin.

Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.