DUBAI- Shqiptari i shumëkërkuar nga drejtësia e Ekuadorit, Dritan Gjika është arrestuar ditën e sotme në Dubai. Mediat e huaja theksojnë se operacioni u koordinua nga Njësia Kombëtare e Interpolit në Ekuador, në bashkëpunim me homologët e saj në Abu Dabi (Emiratet e Bashkuara Arabe) dhe në Spanjë. Gjika akuzohet nga Ekuadori për trafik droge, pastrim parash dhe organizatë kriminale dhe ndaj tij është dhënë 2 herë alarmi i kuq nga Interpoli.
Dritan Gjika, shqiptar 47-vjeçar, kishte mbërritur për herë të parë në Ekuador në vitin 2009 me vizë vizitori të përkohshëm, sipas të dhënave të tij të migracionit. Ai u bë një nga personat më të kërkuar në vend, pasi udhëhiqte një organizatë kriminale që operonte si në Ekuador ashtu edhe në Spanjë, duke dërguar sasi të mëdha të substancave të kontrolluara në vendet e Amerikës Qendrore dhe në Europë (në veçanti në Holandë, Belgjikë dhe Spanjë).
Struktura kriminale që ai drejtonte përfshinte një nivel drejtues, logjistikë dhe bashkëpunëtorë që punonin në realizimin e këtyre veprave penale, me ndihmën e kompanive të ligjshme që përdornin për pastrimin e parave dhe fshehjen e veprimtarive tregtare e financiare.
Gjithashtu, pjesë e kësaj rrjete ishin edhe punonjës të porteve detare, të cilët vepronin si informatorë dhe ndihmonin kriminelët të maskonin dhe të ndotin kontejnerët me lëndët e paligjshme, duke përdorur metodën e ashtuquajtur “grepi i verbër”.
Më 6 shkurt 2024, Dritan Gjika u identifikua nga Prokuroria e Përgjithshme e Ekuadorit si drejtues i operacioneve të mafias shqiptare në këtë vend, pas një bastisjeje në një banesë në një lagje rezidenciale të Guayaquil-it. I ndaluari aktualisht do t’i dorëzohet autoriteteve përkatëse për të vijuar me procedurën e ekstradimit.