A ka një marrëveshje për të zgjidhur ngërçin në Kuvend/ Fatmir Limaj: Me Kurtin rash dakord të marrë postin e Kryeparlamentarit

0

TIRANË- Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka zbuluar detaje nga takimet që ka zhvilluar me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, lidhur me mundësinë e një bashkëpunimi pas zgjedhjeve. Në një intervistë për emisionin Pressing në televizionin T7, Limaj tregoi se si kishte ardhur deri te një dakordim gojor mes tij dhe Kurtit, për që ai të merrte postin e Kryetarit të Kuvendit.

“Kurti foli në RTK për çka kishim diskutuar, ndaj edhe unë po flas tash. Në takimin e parë biseduam për tema të përgjithshme. Në takimin e dytë, z. Kurti shprehu dëshirën për një bashkëpunim, për një koalicion. I thashë: nëse kërkon vetëm numrat, unë t’i jap. Por ai tha se dëshiron partneritet,” tha Limaj.

Sipas tij, Kurti kishte propozuar që Nisma të bëhej pjesë e qeverisë, por kjo ishte refuzuar nga Limaj.

“Unë i thashë se nuk jemi të interesuar për qeveri, por për një partneritet në Kuvend. I thashë se jam i gatshëm të marr detyrën e Kryetarit të Kuvendit. Ishte një minimum bashkëpunimi që mund të ofronim në atë moment,” shtoi ai.

Limaj konfirmoi se ndonëse pati një marrëveshje verbale me Kurtin, ajo nuk u konkretizua me shkrim.

“Në fund patëm një dakordim gojor, unë dhe Kurti. Ai mbeti ta diskutonte me partnerët e tij, unë me partinë time. S’kemi pasë marrëveshje të shkruar. Prandaj nuk u ndjeva keq që ata propozuan Haxhiun për Kryetar të Kuvendit,” theksoi Limaj.