Tiranë – Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Luan Duzha, ka reaguar pas lajmeve që qarkulluan në media, sipas të cilave banesa e tij është kontrolluar nga SPAK dhe i janë sekuestruar pajisje elektronike.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Duzha i ka cilësuar këto lajme si të pavërteta, duke theksuar se në banesën e tij nuk është ushtruar asnjë kontroll dhe nuk është marrë asnjë pajisje.
”Miq dhe ndjekës,
Lidhur me lajmet që po qarkullojnë në media, dua të sqaroj se janë të pavërteta.
Dua ta them qartë: nuk është kryer asnjë kontroll në banesën time dhe nuk është sekuestruar asnjë telefon apo pajisje tjetër nga askush.
Unë po vazhdoj jetën dhe angazhimet e mia të përditshme, pranë familjes dhe njerëzve që më kanë mbështetur gjithmonë.
Faleminderit nga zemra të gjithëve për mbështetjen, për fjalët e mira!”
Ai shton se po vijon normalisht jetën dhe angazhimet e përditshme pranë familjes dhe qytetarëve që e mbështesin, duke falënderuar të gjithë për mbështetjen dhe fjalët e mira.
Reagimi i Duzhës vjen në një kohë kur emri i tij përmendet në disa portale, në kuadër të hetimeve të mundshme për lidhje me çështje në shqyrtim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), por vetë deputeti mohon çdo përfshirje.