Janë zbardhur detaje nga aksionet me urdhër të SPAK në qytetin e Elbasanit në kuadër të hetimeve të krimeve zgjedhore. Raportohet se bëhet fjalë për dy procedime të ndryshme, njëri i ekzekutuar disa ditë më parë, ndërsa i dyti mëngjesin e sotëm. Mësohet se agjentët e BKH-së zbarkuan mëngjesin e sotëm në Elbasan ku u ekezekutuan 4 urdhra kontrolli, ndërsa është sekuestruar telefoni i një zyrtari të Bashkisë i cili dyshohet se ka blerë vota në favor të një kandidati të PS-së nga lista e hapur.
“SPAK është rezervuar për të bërë me dije emrin e kandidatit për deputet”, deklaroi Klodiana Lala, duke shtuar se “brenda celularëve që janë sekuestruar mund të kompromentohen njerëz të politikës që janë aktualisht në Kuvend ose pritet të hyjnë pasi kanë fituar më 11 Maj”.
Gjithashtu, pak ditë më parë, është ekzektuar një tjetër urdhër kontrolli në qytetin e Elbasanit. Raportohet se gjatë kontrolleve në një banesë në Belsh, që dyshohet se i përket një biznesmeni, janë gjetur më shumë se 200 mijë euro.
“Mësohet, sipas burimeve, se gjatë kontrolleve disa ditë më parë në një banesë në Belsh që dyshohet se i përket një biznesmeni janë gjetur më shumë se 200 mijë euro. Nëse kjo shumë ka të bëjë krim zgjedhor apo jo, po vlerësohet nga ana e prokurorëve”, theksoi gazetarja.