Fëmijët helmohen në Gramsh, një tender me erë korrupsioni dhe vezë me salmonelë

0

GRAMSH- Në mesin e muajit maj, qyteti i Gramshit u përball me një ngjarje shqetësuese: dhjetëra fëmijë të një kopshti publik përfunduan në spital me simptoma të forta helmimi temperaturë, të vjella, diarre dhe shqetësime të forta të tretjes. Fillimisht, zyrtarët vendorë tentuan ta minimizonin ngjarjen, duke e paraqitur si “virus stinor”.

Por analiza laboratorike nga Instituti i Shëndetit Publik konfirmoi dyshimet më të këqija. Helmimi ishte shkaktuar nga Salmonella enteritidis, bakter i rrezikshëm i lidhur zakonisht me konsumin e vezëve të kontaminuara. Investigimi ynë zbulon se furnizuesi i vezëve për këtë institucion ishte kompania Nelsa shpk, një emër i njohur në skandalet e tenderëve publikë.

Përmes një procedure të dyshimtë, kjo kompani fitoi tenderin vetëm për furnizimin me vezë në vlerën e 28,600 eurove, ndonëse nuk ofroi çmimin më të ulët. Sipas dokumenteve zyrtare, kompania ka ndryshuar pronësinë në mënyrë fiktive, duke kaluar aksionet tek të afërm të pronarit të dënuar më herët për korrupsion dhe furnizim me ushqime të kalbura në institucione shtetërore si burgje dhe spitale.

Nelsa shpk është vetëm një nga disa kompani që, pavarësisht historikut penal, vijojnë të fitojnë tenderë publikë përmes manovrave ligjore. Kompani si Dajti Park, Sinani Trading dhe 4S shpk janë gjithashtu pjesë e këtij zinxhiri një sistem klientelist ku mbizotëron mungesa e kontrollit dhe papërgjegjshmëria. Miliona euro nga buxheti i shtetit kanë përfunduar në duart e këtyre subjekteve, që shpesh kanë lidhje të drejtpërdrejta me zyrtarë vendorë apo ish-funksionarë të lartë.

Në Gramsh, pasojat ishin të prekshme. Fëmijët e vegjël, më të pambrojturit, përfunduan në dhoma spitali disa prej tyre në gjendje të rëndë. Ndërsa prindërit kërkonin përgjigje, institucionet zvarriteshin në deklarata të vakëta dhe pa përgjegjësi.

Ky rast është sinjal i qartë për dështimin e mekanizmave të kontrollit dhe mungesën e vullnetit për të mbrojtur qytetarët, veçanërisht fëmijët, nga rreziku real që vjen kur ushqimi bëhet pjesë e një pazari me tendera.

Emisioni ynë sjell fakte, intervista, dokumente zyrtare dhe dëshmi që zbulojnë rrënjët e një skeme të përsëritur, ku shëndeti i qytetarëve vihet në rrezik për të mbushur xhepat e të njëjtëve emra që vazhdojnë të riciklohen në tenderat e shtetit./ Piranjat