Akuzohet për vjedhje në spital dhe banesa ,arrestohet 40 vjeçari në Elbasan

0

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Skeda”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan kanë finalizuar me sukses hetimet dhe kanë arrestuar shtetasin Andrea Buzani, 40 vjeç, banues në Elbasan. Ky operacion erdhi pas administrimit të kallëzimeve të qytetarëve për disa vjedhje që kishin ndodhur në qytet.I arrestuari, i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale, dyshohet se ka kryer disa vjedhje gjatë ditëve të fundit. Sipas hetimeve, më 11 qershor 2025, ai ka vjedhur një shumë parash nga çantat e tre punonjëseve të spitalit të Elbasanit. Një natë më pas, 12 qershor 2025, ka thyer derën e një dyqani në lagjen “Sul Paprri” dhe ka vjedhur pajisje elektronike.
Pajisjet e vjedhura u gjetën nga shërbimet e Policisë në një banesë të braktisur në të njëjtën lagje dhe u sekuestruan si prova materiale.
Në vijim të hetimeve, autoritetet dyshojnë se Buzani mund të ketë kryer edhe vjedhje të tjera. Për këtë arsye, hetimet vijojnë për të zbardhur rastet e mundshme të tjera të vjedhjeve.

Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.