100 mijë viktima nga i nxehti ekstrem në Evropë

0

100 mijë persona kanë humbur jetën si pasojë e të nxehtit në 35 vende evropiane gjatë 2022-2023. Bilanc tragjik që reflekton sesi ndryshimet klimatike shkaktojnë gjithnjë e më tepër krizë shëndetësore.

Sipas statistikave, Evropa është zona e planetit që nxehet më tepër, ku përtej vapës, në shtim janë edhe fenomenet e tjera meteorologjike ekstreme, si përmbytjet. Një qytetar në çdo 10 të tillë në qytetet evropiane është i kërcënuar nga to, ku frekuenca është 9 herë më e lartë.

Nga viti 2020, katër prej 5 viteve konsiderohen si ndër më të nxehtët të regjistruar ndonjëherë dhe përllogaritet se brenda vitit 2030, 80% e evropianëve do të jetojnë në zona urbane, duke shtuar edhe risqet.

Pasojat bien mbi trupin e njeriut, që shoqërohen me sëmundje respiratore, valë të nxehti, infeksione, shqetësime mendore.

Për të gjitha këto arsye, OBSH për Evropën ka ngritur një komision të posaçëm mbi klimën e shëndetin publik, që ka si synim të transformojë politikat shëndetësore për t’u përballur me kërcënimet mjedisore më të rënda.