Burime nga Policia e Durrësit bëjnë me dije se pronarit të subjektit që ofronte mjete lundruese për argëtim, me vendndodhje në zonën e njohur si Shkëmbi i Kavajës, i është prerë fleta e arrestit.
Ndërkohë, shtetasi belg ndodhet në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën. Hasan Kastoev, 21 vjeç, u aksidentua në orët e vona të pasdites së djeshme, teksa u rrëzua nga motori i ujit.
Ka qenë vetë pronari i subjektit, Skedilajt Xhametaj, ai që i ka dhënë ndihmën e parë.
Xhametaj, sapo ka vënë re se 21-vjeçari ishte rrëzuar nga Jet Skia, është nisur me një tjetër mjet lundrues drejt vendit të ngjarjes, duke e sjellë atë në breg. Më pas, turisti belg është transportuar fillimisht në Spitalin e Durrësit dhe më tej në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Sipas burimeve nga stafi mjekësor, 21-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.