Zbulohet arsyeja tronditëse për rrëzimin e avionit në Indi

0

Një defekt në të dy motorët dyshohet si shkaku kryesor i tragjedisë ajrore të ndodhur javën e kaluar në Indi, ku një avion Boeing 787 Dreamliner i kompanisë “Air India” u rrëzua pak minuta pas ngritjes, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 270 personave.

Avioni, i cili ishte nisur nga qyteti Ahmedabad me destinacion Londrën, u përplas me një godinë të një kolegji mjekësor, duke shkaktuar flakë të mëdha që përfshinë ndërtesën dhe avionin. Ekspertët e Byrosë së Hetimeve të Aksidenteve Ajrore të Indisë po hetojnë ngjarjen me mbështetjen e ekipeve nga SHBA, Britania dhe vetë kompania “Boeing”.

Sipas raportimeve të para të siguruara nga Wall Street Journal, hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që gjatë ngritjes avioni të ketë funksionuar me një sistem emergjence energjie, i njohur si “ram air turbine”, duke sinjalizuar se motorët mund të mos kenë punuar normalisht. Sipas të dhënave, pilotët kishin vetëm 17 sekonda për të reaguar pasi të dy motorët kishin humbur fuqinë në një lartësi prej vetëm 120 metra.

Një video e re me cilësi të lartë, e publikuar këtë javë, përforcon teorinë e një dështimi të dyfishtë të motorëve, sipas pilotit dhe analistit Steve Schreiber, i cili e cilëson këtë provë si një “pikë kthese” për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

Autoritetet kanë konfirmuar se pilotët bënë një thirrje emergjente “mayday” para përplasjes. Hetimet po përqendrohen edhe në të dhënat e kutive të zeza, ngarkesën e avionit, trajnimet e pilotëve dhe gjendjen teknike të mjetit ajror. Një komision i posaçëm pritet të japë një raport paraprak brenda tre muajsh.