TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në konferëncë për mediat ka folur në lidhje me zgjedhet e 11 majit të cilën e quan farsë elektorale. Berisha u shpreh se çështja e numërimit të votave është kërkesë e kandidatëve të mbështetur nga PD për transparencë.
Sipas tij kërkesa e PD ka të bëjë me legjitimitetin e zgjedhjeve. Ai u shpreh se kamerat të cilat kanë zbuluar në mënyrë të përsëritur trenin Bullgar kanë zbuluar aktet më të shëmtuara që damkosin farsën si një proces krejtësisht të paligjshëm. Berisha shtoi se për PD-në vota ka vdekur pa hyrë në kuti.
“Çështja e numërimit të votave është kërkesë e kandidatëve e mbështetur nga PD për transparencë. Të paktën kjo është e 5-ta herë që para jush sqaroj. Nuk është një kërkesë primare e PD-së, jo. Jo dhe jo. Ta ketë të qartë çdo njeri. Kërkesa e PD ka të bëjë me legjitimitetin e zgjedhjeve dhe unë mund t’ju theme se, tre janë linjat kryesore të kontrollit që ne bëjmë. Së pari, kamerat të cilat kanë zbuluar në mënyrë të përsëritur trenin Bullgar. Kanë zbuluar aktet më të shëmtuara që damkosin farsën si një proces krejtësisht të paligjshëm.
E dyta, janë administrimi i qendrës së votimit, administrimi i kutisë së votimit, i materialeve të votimi, procesverbaleve të votimit. Dhe e treta, janë plotësimi i kërkesave të kandidatëve tanë që kanë pretendimet e tyre dhe ne kurrë nuk mund të mos mbështesin transparencën. Pra të kuptohemi, besoj se kemi bërë gjënë më të madhe sepse kemi faktuar çdo ditë këtu para jush dhe do faktojmë se çfarë farse e shëmtuar është zhvilluar në 11 maj.
Për PD-në vota ka vdekur pa hyrë në kuti. Aktet e shëmtuara të krijuara janë të gjitha të parapërgatitura, nuk janë ‘ex tempore’ aty. Duhet të bëj dallim për çdo qytetar, se çfarë është numërimi i votave për kandidatë dhe se çfarë është kontrolli i legjitimitetit të procesit. Janë gjëra krejt të ndryshme,” tha ai.