Ky akt përcakton parimet bazë, rregullat për kryerjen e vullnetarizmit, të drejtat dhe detyrimet e vullnetarëve e të ofruesve të vullnetarizmit, kontratën e vullnetarizmit, organet shtetërore përgjegjëse dhe mekanizmat për nxitjen, mbështetjen e mbikëqyrjen e vullnetarizmit në Shqipëri.
TIRANA- Qeveria ka miratuar projektligjin “Për vullnetarizmin”. Ky akt përcakton parimet bazë, rregullat për kryerjen e vullnetarizmit, të drejtat dhe detyrimet e vullnetarëve e të ofruesve të vullnetarizmit, kontratën e vullnetarizmit, organet shtetërore përgjegjëse dhe mekanizmat për nxitjen, mbështetjen e mbikëqyrjen e vullnetarizmit në Shqipëri.
Në projektligj përjashtohen disa aktivitete të cilat nuk konsiderohen vullnetarizëm në kuptimin ligjor, si punët e zakonshme në familje, dhurimin e gjakut apo angazhimin në mbrojtjen civile sipas ligjit në fuqi. Një nga pikat është përfshirja dhe mbrojtja e grupeve të veçanta, të cilat ligji i përmend me detaje duke u nisur nga “nënat nën moshën 18 vjeç, personat me aftësi të kufizuara sipas Konventës së OKB-së, komunitetet rom dhe egjiptian, të miturit, të moshuarit, viktimat e dhunës në familje, viktimat e trafikimit dhe të diskriminimit”.
Sipas projektligjit përcatohet dhe koha e ushtrimit:
a.Vullnetarizmi afatgjatë: Kur vullnetari angazhohet të paktën 20 orë në javë, për së paku 3 muaj me radhë.
b.Vullnetarizmi afatshkurtër: Kur koha e angazhimit është më e shkurtër se 20 orë në javë, por jo më pak se 1 orë.
Bazuar në projektligj, ofrues të vullnetarizmit mund të jenë institucione publike, bashkësi fetare, organizata jofitimprurëse dhe madje edhe biznese që nuk synojnë fitim në këtë aktivitet.
VENDIMI
Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 30 Qershor 2025:
P R O J E K T L I GJ PËR VULLNETARIZMIN
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I: KREU I DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Ky ligj përcakton parimet bazë, rregullat për kryerjen e vullnetarizmit, të drejtat dhe detyrimet e vullnetarëve e të ofruesve të vullnetarizmit, kontratën e vullnetarizmit, organet shtetërore përgjegjëse dhe mekanizmat për nxitjen, mbështetjen e mbikëqyrjen e vullnetarizmit në Republikën e Shqipërisë.
Neni 2
Qëllimi
Ky ligj ka për qëllim të krijojë një kuadër rregullator e institucional të favorshëm për kryerjen e vullnetarizmit dhe nxitjen e pjesëmarrjes së individëve në vullnetarizëm, zhvillimin e vlerave njerëzore dhe solidaritetin shoqëror.
Neni 3
Fusha e zbatimit
1. Ky ligj zbatohet për:
a) të gjitha subjektet që kryejnë, ofrojnë ose përfitojnë vullnetarizëm në Republikën e Shqipërisë;
b) vullnetarizmin afatgjatë dhe afatshkurtër.
2. Ky ligj nuk zbatohet për:
a) kryerjen e punëve ose të shërbimeve, që janë të zakonshme në familje, shoqëri apo në marrëdhëniet e fqinjësisë;
b) dhurimin e gjakut;
c) realizimin e detyrimeve të caktuara me vendim gjykate të formës së prerë;
ç) angazhimin në një program trajnimi apo formimi profesional, përpara lidhjes së kontratës së punës;
d) përcaktimin e metodologjisë së prodhimit të statistikave zyrtare mbi vullnetarizmin;
dh) partitë politike;
e) kryerjen e punëve ose të shërbimeve nga sindikatat apo shoqatat e tjera ekonomike, profesionale dhe tregtare, që synojnë realizimin e objektivave dhe të veprimtarive në interes të anëtarësisë së tyre, në bazë të parashikimeve të statutit;
ë) angazhimin dhe trajtimin e vullnetarëve në fushën e mbrojtjes civile, që kryhet sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen civile.
Neni 4
Përkufizime
Në këtë ligj, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Grupe të veçanta”, vullnetarë apo përfitues të vullnetarizmit, si:
a) nëna nën moshën 18 vjeç;
b) persona me aftësi të kufizuara, sipas parashikimeve të Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara;
c) persona nga komuniteti rom dhe egjiptian;
ç) persona që i nënshtrohen trajtimit apo kujdesit shëndetësor;
d) të mitur, sipas parashikimeve të Kodit Civil;
dh) të mitur e të rinj në konflikt me ligjin, sipas parashikimeve të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur;
e) të moshuar;
ë) viktima të dhunës në familje dhe viktima të dhunës me bazë gjinore;
f) viktima të trafikimit apo viktima të mundshme të trafikimit;
g) viktima të diskriminimit.
2. “Kohëzgjatje e vullnetarizmit”, koha në të cilën vullnetari vihet në dispozicion të ofruesit të vullnetarizmit, duke përfshirë edhe kohën e trajnimit të nevojshëm për të kryer vullnetarizmin.
3. “Ministri”/“Ministria”, ministri/ministria përgjegjëse për çështjet e punësimit.
4. “Organizatë jofitimprurëse”, shoqata, fondacioni dhe qendra, që zhvillon veprimtarinë në mënyrë të pavarur e të pandikuar nga shteti, në përputhje me parashikimet e legjislacionit për organizatat jofitimprurëse dhe të ligjeve të veçanta.
5. “Person”, personi fizik, sipas parashikimeve të Kodit Civil.
6. “Program vullnetarizmi”, një grup veprimtarish apo shërbimesh, që organizohen nga ofrues të vullnetarizmit, zbatohen plotësisht apo pjesërisht nga vullnetarë dhe mbështesin realizimin e objektivave, që janë në të mirë dhe në interes të publikut apo në dobi të personave të tjerë.
7. “Veprimtari në të mirë dhe në interes të publikut”, çdo veprimtari që mbështet e zhvillon te individi dhe shoqëria vlera shpirtërore e vlera të tjera humanitare, mbron jetën e njeriut, shëndetin e tij, siguron e realizon shërbime publike dhe sociale, ndihma dhe mbështetje në raste fatkeqësish, mbron mjedisin e zhvillon kulturën dhe edukatën ndaj tij, mbështet e zhvillon vlerat dhe traditat kulturore e historike, shkencën, arsimimin, edukimin fizik e shpirtëror, jep ndihmesë në zhvillimin e zakoneve të mira dhe të vlerave demokratike, si dhe çdo drejtim tjetër në të mirë dhe në interes të publikut.
8. “Vullnetarizëm i drejtpërdrejtë”, kryerja nga vullnetari, me iniciativën personale dhe pa organizimin e ofruesit të vullnetarizmit, të punëve ose shërbimeve vullnetare, në të mirë dhe në interes të publikut apo në dobi të personave të tjerë.
9. “Vullnetarizëm i organizuar”, kryerja nga vullnetari, përmes organizimit të ofruesit të vullnetarizmit, të punëve ose shërbimeve vullnetare, në të mirë dhe interes të publikut apo në dobi të personave të tjerë.
10. “Shqetësim”, çdo sjellje e padëshiruar, kur lidhet me cilëndo nga shkaqet e përmendura në nenin 9 të këtij ligji, që ka për qëllim ose efekt cenimin e dinjitetit të personit dhe krijimin e një mjedisi frikësues, armiqësor, përçmues, poshtërues a ofendues për atë person, si dhe trajtimin më pak të favorshëm, të kryer si rezultat i kundërshtimit ose mosnënshtrimit nga ana e personit të cenuar ndaj një sjelljeje të tillë.
11. “Shqetësim seksual”, çdo sjellje e padëshiruar verbale ose joverbale, e natyrës seksuale, e cila ka për qëllim ose sjell si pasojë cenimin e dinjitetit të personit dhe krijimin e një mjedisi kërcënues, armiqësor, përçmues, poshtërues ose ofendues për të.