Meta reagon sërish për kartën bankare: SPAK po dizinformon mediat, Kryemadhi ka harxhuar 240 mijë dollarë, jo unë!

0

Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka shpërndarë një reagim të fuqishëm pas akuzave të fundit të bëra nga SPAK dhe disa media, që sugjeronin se ai mund të kishte përdorur një kartë bankare të padeklaruar.

Në një postim në rrjetet sociale dhe nëpërmjet një komunikate të plotë, Meta akuzoi organin e akuzës për shpërndarje të informacionit të pasaktë dhe të qëllimshëm, që për qëllim ka vetëm të dëmtojë imazhin e tij dhe të minojë opozitën politike në vend.

Meta e cilësoi SPAK si një “organizatë kriminale”, duke theksuar se ky institucion është i kontrolluar politikisht dhe funksionon në shërbim të interesave të qeverisë së Edi Ramës.

Ai theksoi se “SPAK vazhdon të shpërndajë dizinformacione në televizionet dhe mediat e blera me paratë e pista të inceneratorëve”, duke e akuzuar këtë organ për manipulimin e lajmeve për të ndikuar në opinionin publik dhe për të krijuar një atmosferë të pasigurisë.

Reagimi i Ilir Metës:

Organizata kriminale SPAK vazhdon të shpërndajë dizinformacione në televizionet dhe mediat e blera me paratë e pista të inceneratorëve, për fat të keq edhe në Televizionin Publik Shqiptar (RTSH), sikur gjoja autoritetet amerikane kanë përmendur emrin tim për një kartë bankare të padeklaruar.

Në respekt të së vërtetës dhe të ligjit, por edhe të mos lejimit të mëtejshëm të diskreditimit me qëllim të autoriteteve amerikane nga ana e SPAK, vetëm në funksion të axhendës së Narkoregjimit për asgjësimin e opozitës së vërtetë politike, po publikoj sot të plotë përgjigjen e autoriteteve amerikane në lidhje me çështjen dhe përdorimin e kartave bankare.

SPAK është kaq i zbuluar në të gjithë aktivitetin e tij kriminal që nuk ka lidhje me hetimin, por vetëm me urdhrin politik të Edi Ramës nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste, sa është i obsesuar të më mbajë mua të lidhur në çift me Monikën (SPAK njësoj si Pilo Peristeri që përpiqej të mbante çiftet me dhunë) duke shkruar qëllimisht edhe në akuzën zyrtare të 26 Majit statusin tim si i martuar, kur kjo marrëdhënie nuk ekziston prej kohësh në gjendjen civile të Republikës së Shqipërisë dhe ata e dinë shumë mirë.