Kryeministri Edi Rama zhvilloi mëngjesin e së enjtes një mbledhje të jashtëzakonshme në ambientet e Bashkisë së Vlorës, ku kërkoi shkarkimin e menjëhershëm të të gjithë drejtorëve të institucionit lokal.
Në takim, i cili u zhvillua me dyer të mbyllura dhe zgjati rreth 90 minuta, morën pjesë kryetari i Bashkisë, Ermal Dredha, drejtues të drejtorive vendore, deputetët aktualë dhe ata të zgjedhur në zgjedhjet e 11 majit. Sipas burimeve nga mbledhja, Rama u shpreh me tone të forta dhe kërkoi që kryetari i Bashkisë të firmosë menjëherë shkarkimet.
“Që nga ky moment, të gjithë jeni të shkarkuar. Kryetari i Bashkisë duhet të firmosë menjëherë shkarkimet,” është shprehur kryeministri, duke theksuar nevojën për gatishmëri dhe angazhim maksimal të strukturave vendore për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.
Ky reagim i fortë vjen në një periudhë kur Vlora përballet me probleme të shumta të pazgjidhura dhe pakënaqësi të rritura ndaj administratës vendore.
Pas mbledhjes, Rama u pa duke ecur në këmbë në lagjen “Muradie” së bashku me Arbjan Maznikun, Pirro Vengun dhe Sinan Idrizin, ku ndaluan për rreth 30 minuta në një lokal për kafe para se të largoheshin nga qyteti.
Në të njëjtën ditë, gjatë vizitës në Vlorë, kryetari i PS-së njoftoi edhe ndryshimet në strukturat e partisë në këtë qark. Klevis Kaso, kandidat për deputet që nuk u përfshi në listat fituese, u emërua kryetar i Partisë Socialiste në Vlorë, ndërsa deputetja Eriona Ismaili do të jetë bashkëkryetare e degës lokale.
Emërimet dhe shkarkimet pritet të sjellin zhvillime të reja në administratën dhe strukturat politike të qytetit.