Më 19 maj të këtij viti, emisioni “Stop” në Tv Klan transmetoi një problem nga Maminasi. Zonja Flora Hidri tregoi se në vitin 2019 bashkëshorti i saj ndërroi jetë. I vëllai i Florës tha se 6 vjet pas kësaj humbjeje të kunatit, Hamdi Hidri, konstatoi se i ndjeri nuk ishte çregjistruar.
Mendohej që kjo procedurë ishte bërë nga nipi i Hamdiut, Fatmir Lika, i cili ndoqi të gjithë procesin e varrimit dhe pensioni i të ndjerit, rreth 20 milionë lekë të vjetra, kishte vijuar të tërhiqej. Kjo gjë u konstatua kur e veja kërkoi të bënte procedurën për pension familjar.
“Stop” u ndal në postën numër 22 në Tiranë, ku ishte bërë tërheqja e pensionit, por përgjegjësja e zyrës refuzoi të jepte informacion duke thënë se pensioni ishte tërhequr me prokurë të rregullt. “Stop” siguroi prokurat e paraqitura që u vendosën para notereve që kishin firmosur, por të dyja ato thanë se prokurat ishin të falsifikuara.
Më pas, u gjet 68-vjeçari Rexhep Zhegu, i cili prej 6 vjetësh tërhiqte pensionin e të ndjerit Hamdi Hidri. Zhegu tha se e kishte marrë pensionin dhe ia kishte dhënë nipit të të ndjerit, Fatmir Lika. Të dy përgjegjësit e këtij mashtrimi dhe vjedhjeje, u denoncuan në Krimin Ekonomik dhe u shoqëruan në polici.
Pas këtij transmetimi, kunati i të ndjerit, Gëzim Gjergji, shpreh falënderimin që ka marrë çregjistrimin e të ndjerit dhe ka nisur procedurën që motra e tij të përfitojë pensionin familjar.