Djegia e mbetjeve në landfillin e Elbasanit, alarm nga ekspertët! Raporti: Ajri u ndot, rrezik kancerogjen për banorët

0

 

Ajri rreth landifilit të Elbasanit që u përfshi nga flakët, është ndotur rëndshëm. Një grup ekspertësh të pavarur që kreu matje ditën e martë, thotë se normat e gazrave në qytet janë disa fish më të larta se sa ato që lejon BE, dhe dëmtojnë shëndetin e qytetarëve, duke filluar nga problemet e frymëmarrjes deri tek rreziqet kancerogjene
Të martën paradite, pasi kodra e mbetjeve në Elbasan ishte gdhirë e përpirë nga flakët, në qytet mbërriti një grup ekspertësh për të matur ndotjen e shkaktuar në mjedis nga djegia e mbeturinave.

Matjet në terren treguan përqendrime të larta të ndotësve të ajrit, që paraqesin një rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin publik dhe mjedisin përreth”-thotë organizata e mbështetur me financim dhe ekspertizë ndërkombëtare.

Një grup i specializuar nga Co-PLAN dhe Milieukontakt monitoruan situatën në terren dhe vlerësuan ndikimet e zjarrit në cilësinë e ajrit.

Përqendrimet e ndotësve të ajrit të regjistruara vetëm pak orë pas shpërthimit të zjarrit rezultuan mbi normat e pranuara nga BE dhe me pasoja serioze për qytetarët.

Siç thonë ekspertët, në mjedis, një ditë pas zjarrit niveli i dioksidit të karbonit (CO₂) ishte rreth 521 – 794 ppm.

“Ky nivel është mbi normën prej rreth 350 ppm dhe tregon djegie të pakontrolluara të materialeve organike, që ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut dhe mjedisin përreth”,-thotë raporti. Ky nivel i shtuar i dioksidit të karbonit, u shkakton njerëzve lodhje, marramendje, vështirësi në frymëmarrje.

Në ajër u gjet gjithashtu një nivel i lartë metani, 3-4 fish më lart se normalja, që sipas ekspertëve përbën rrezik potencial për shpërthime dhe ul nivelin e oksigjenit në nevojshëm për frymëmarrje.

Specialistët e mjedisit të Co Plan matën dhe nivelin e dioksidit të azotit (NO₂) i cili rezultoi deri në 331 µg/m³. Ky përqendrim dëmton mushkëritë, shkakton kollë, ndikon te astmatikët.

“Përqendrimi i NO₂ tejkalon ndjeshëm kufirin e lejuar nga Bashkimi Europian, të cilët rekomandojnë që ekspozimi afatshkurtër (1 orë) të mos kalojë 200 µg/m³. Vlera e matur prej 331 µg/m³ tregon një rrezik serioz për sistemin respirator të banorëve përreth landfillit”-thuhet në raport.

Raporti dokumenton edhe praninë e një elementi, të njohur si VOC, lëndë organike që janë pezull në ajër, me vlerë deri në 6,800 µg/m³

“VOC tejkalojnë ndjeshëm kufijtë e rekomanduar nga standardet e BE-së  dhe janë shumë të rrezikshëm për shëndetin, me efekte toksike dhe potencial kancerogjen. Ato gjithashtu ndikojnë në formimin e ozonit në nivelin e tokës, duke përkeqësuar cilësinë e ajrit”-thonë ekspertët.

Njerëzit që thithin të tillë gaz, kanë irritime, dhimbje koke, rrezik kancerogjen.

Co-PLAN, një Institut për Zhvillimin e Mjedisit që bëri këto matje, kryen vazhdimisht monitorime të ajrit në vend, me mbështetje financiare të huaj, kryesisht suedeze.

1. Dioksidi i karbonit CO₂

Elbasan: 521-794 ppm

Normalja: 350 ppp

Pasojat: Lodhje, marramendje, vështirësi në frymëmarrje.

2. Metani CH₄ (

Elbasan: 5-8 ppm

Normalja: 1.8

Pasojat: Rrezik shpërthimi, ulje e oksigjenit.

3. Dioksidi i Azotit NO₂

Elbasan: 331 µg/m³

Normalja: 200 µg/m³

Pasojat: Dëmton mushkëritë, shkakton kollë, ndikon te astmatikët.

4. Mbetjet organike pezull VOCs

Elbasan: 6,800 µg/m³

Normalja: 1000 µg/m³

Pasojat: Toksike, irritime, dhimbje koke, rrezik kancerogjen.