Pas 30 vitesh, arkeologët rikthehen në Kalanë e Gjirokastrës: Çfarë pritet të zbulohet… (FOTO)

0

Pas një mungese prej rreth 30 vitesh, arkeologët janë rikthyer në kalanë e Gjirokastrës për të vijuar studimet dhe gërmimet arkeologjike.

Qëllimi i ekspeditës së Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore është evidentimi i gjetjeve të reja që hedhin dritë mbi historikun e kësaj kështjelle me vlera të jashtëzakonshme.

Aktualisht, punimet janë përqendruar pranë hyrjes kryesore të kalasë, ku janë zbuluar fragmentet e para të një kulle guri që i përket periudhës së shekujve IV-VI pas erës sonë.

Gërmimet do të vazhdojnë gjatë gjithë muajit korrik, në disa zona kyçe të kalasë, duke synuar jo vetëm dokumentimin e gjetjeve, por edhe përmirësimin e hartës së vizitueshmërisë së këtij monumenti.

Kalaja e Gjirokastrës, e cila përmendet për herë të parë në dokumente që datojnë në vitin 1336, besohet se ka origjinë më të hershme.

Ky monument historik është ndër më të vizituarit në vend dhe funksionon si një qendër e rëndësishme për organizimin e ngjarjeve kulturore me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar.