Zyrtare/ Lin, vendbanimi më i vjetër në Europë: Zbulimi arkeologjik që risheh historinë e kontinentit

0

Një zbulim arkeologjik i jashtëzakonshëm është konfirmuar në fshatin Lin, në juglindje të Shqipërisë, në bregun perëndimor të liqenit të Ohrit. Sipas ekspertëve ndërkombëtarë, vendbanimi i zbuluar në këtë zonë rezulton të jetë më i vjetri i njohur deri më sot në të gjithë Europën, duke risjellë në vëmendje rëndësinë e Ballkanit në historinë e hershme të qytetërimit.

Zbulimi është bërë nga një ekip i përbashkët shqiptaro-zvicerano-gjerman, përmes gërmimeve nënujore në afërsi të bregut të fshatit. Sipas të dhënave të publikuara, vendbanimi palafit në Lin – i ndërtuar mbi shtylla druri mbi ujë – daton rreth 6,600 vite para erës sonë, pra afro 8,600 vjet më parë.

Gjatë kërkimeve janë gjetur mijëra trarë druri të ruajtur në gjendje të jashtëzakonshme, vegla guri, fragmente qeramike dhe struktura të banimit, që dëshmojnë për një organizim të zhvilluar shoqëror dhe teknologji të avancuar ndërtimi për kohën.

Ekspertët theksojnë se ky vendbanim është më i hershëm se shumë site të njohura prehistorike europiane, përfshirë ato në Alpet Zvicerane dhe në pjesë të tjera të Ballkanit.

Zbulimi i Lin-it jo vetëm që ndryshon kronologjinë e vendbanimeve të hershme në Europë, por e vendos Shqipërinë në qendër të vëmendjes së arkeologjisë ndërkombëtare si një territor me trashëgimi të pasur dhe të pazbuluar plotësisht.