TIRANË- Kroacia ka refuzuar në kufi një ngarkesë me pjeshkë të nisura nga Shqipëria. Raportohet se frutat kanë rezultuar me përmbajtje të lartë të nikelit. Lajmi është konfirmuar në faqen online të Sistemi i Alarmit të Shpejtë për Ushqimin (RASFF) të Komisionit Europian. Zbulimi i këtij rasti nga autoritetet europiane është bërë në datë 21 gusht 2025.
Në njoftimin e mësipërm thuhet se frutat kishin “përmbajtje të lartë nikeli” dhe “përbëjnë një rrezik potencial” për konsumatorët. Ende nuk dihet se cila ka qenë kompania që ka eksportuar pjeshkët nga Shqipëria drejt Kroacisë.
Kjo është hera e dytë që Kroacia bllokon një ngarkesë ushqimorë nga vendi ynë. Më 12 Mars, përmes sistemit të alarmeve të shpejta të BE-së (RASFF), një ngarkesë me speca nga Shqipëria, që kishte nivele të larta pesticidësh, u ndalua në Kroaci. Specat u klasifikuan me rrezik të lartë për konsumatorin, për shkak të përmbajtjes shumë të lartë të pesticideve. RASFF njoftoi se shqetësimi ishte serioz.
Ngarkesa përmbante flonicamid, një insekticid që përdoret për kontrollin e dëmtuesve në fusha dhe sera. Ky pesticid ka një tretshmëri të lartë në ujë dhe mund të shkaktojë efekte negative tek gjitarët, përfshirë njerëzit, veçanërisht në mëlçi dhe veshka.
BOSNJE- Pas Kroacisë, një tjetër shtet ka njoftuar se pjeshkat e eksportuara nga Shqipëria janë me përmbajtje të lartë pesticidesh. Agjencia e Sigurisë Ushqimore e Bosnje Hercegovinës ka njoftuar se një pesticid u gjet në pjeshkat nga Shqipëria në tregun ushqimor boshnjak dhe konsumi i tyre nga fëmijët përbën një rrezik të lartë shëndetësor.
Si pjesë e Programit për Kontrollin e Mbetjeve të Pesticideve në dhe mbi Ushqimet me Origjinë Bimore dhe Shtazore në Bosnjë dhe Hercegovinë, pjeshkat nga Shqipëria rezultuan se përmbajnë substancën aktive klorpirifos, e cila nuk është në përputhje me Rregulloren për Nivelin Maksimal të Mbetjeve të Pesticideve në dhe mbi Ushqimet dhe Ushqimet për Kafshë me Origjinë Bimore dhe Shtazore.
“Është një rrezik i lartë”, theksoi Agjencia e Sigurisë Ushqimore e Bosnjës dhe Hercegovinës. Ata shtojnë se është një pjeshkë e Klasit II, e vitit 2025, dhe se eksportuesi është ZHAKU METUSHI, Suk 1, Strum, dhe importuesi në BiH është Sejo prom doo Sarajevë.
“Një vlerësim i shpejtë i rrezikut i kryer nga Agjencia e Sigurisë Ushqimore e Bosnjës dhe Hercegovinës përcaktoi se konsumi i pjeshkave me një vlerë të përcaktuar të klorpirifos tek fëmijët do të tejkalonte ndjeshëm dozën akute të referencës, e cila përfaqëson një rrezik të lartë për shëndetin”, thekson Agjencia dhe shton se ata kanë paraqitur të gjithë informacionin e disponueshëm për veprime të mëtejshme tek organet kompetente të inspektimit.
Mediat boshnjake shkruajnë se substanca aktive chlorpyrifos nuk është në listën e substancave aktive të lejuara për përdorim në fitofarmaceutikë në Bosnje, që do të thotë se përdorimi i saj në fitofarmaceutikë nuk lejohet.





