‘Diella’ ministre/ Berisha njofton vendimin e PD-së: Do ta çojmë Kushtetuese

0

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka deklaruar se kaosi i sotëm u krijua pasi kryetari i parlamentit nuk i dha fjalën Gazment Bardhit që e kishte kërkuar, por Taulant Ballës. I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Berisha shpjegoi se vendimin e Ramës për të shpallur Ministre ‘Diellën’ do ta çojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Pjesë nga diskutimi:

Sali Berisha: Ai e kaloi, por ne s’mund të mos reagonim, ne do të mbronim kushtetutën. Asgjë më antikushtetuese nuk ka se kjo seancë. Kjo është seanca më antikushtetuese në historinë e vendit. Me këtë seancë Edi Rama tregoi se për të Kushtetuta nuk ekziston. Tregoi se ky tallet me çdo shqiptar, se u thotë shqiptarëve unë kam ministër një njeri që përfaqëson vetëm atë dhe asnjë shqiptar tjetër, një familjare të vetën. U thotë shqiptarëve se sovraniteti juaj që ju e përcillni nëpërmjet përfaqësuesve tuaj, për mua është zero, është hiç!

Blendi Fevziu: Po çfarë do të bëni? Ka kaq kohë që Rama jua bën këtë, ndërkohë ai shton numrat në parlament.

Sali Berisha: Nuk kemi të bëjmë me një procedurë ligji të thjeshtë, nuk kemi të bëjmë me një buxhet, por me aktin më themelor të parlamentit dhe ky fut në qeveri avatarin. S’ka përqeshje më të madhe!

Blendi Fevziu: Pse nuk e çoni në Gjykatë Kushtetuese?

Sali Berisha: Do e çojmë në Gjykatë, ne e njoftuam që do e çojmë në Gjykatë, por ne nuk mund të pranonim kurrë një poshtërim të qytetarëve t’u bëhej në këtë mënyrë.