Universiteti i Oksfordit thotë se është bërë institucioni i parë në Mbretërinë e Bashkuar i këtij lloji, që ofron akses në versionin arsimor të mjetit të inteligjencës artificiale (IA) ChatGPT, për të gjithë studentët dhe stafin e tij.
ChatGPT Edu, i cili është zhvilluar posaçërisht për përdorim edukativ nga OpenAI, do të vihet në dispozicion të gjerë për studentët e Oksfordit, pas një prove të suksesshme gjatë vitit të kaluar.
Ky lançim është pjesë e një partneriteti pesëvjeçar midis institucionit dhe OpenAI, i cili u njoftua në mars.
Anne Trefethen, prorektore e universitetit për teknologjinë dixhitale, tha se lançimi shënoi një “hap emocionues në procesin tonë të vazhdueshëm të transformimit dixhital”.
“Ekziston një potencial i madh për ne që ta shfrytëzojmë këtë për të përshpejtuar kërkimin dhe inovacionin me ndikim të lartë, të udhëhequr nga kurioziteti, dhe për të lehtësuar përparimet që mund të adresojnë sfidat e mëdha globale”, tha ajo për BBC.
“Të gjithë studentët tanë do të jenë në gjendje të përdorin ChatGPT Edu si një mjet të aksesueshëm për studim, për të pasuruar dhe personalizuar të nxënit e tyre, duke hapur mundësi të reja për të eksploruar dhe krijuar.”
ChatGPT Edu është projektuar për përdorim universitar dhe ofron privatësi dhe siguri të shtuar për të siguruar që të dhënat të ruhen nga institucionet individuale.
Jayna Devani, drejtuese e arsimit ndërkombëtar në OpenAI, tha se skema e Oksfordit po “vendoste një standard të ri për mënyrën se si inteligjenca artificiale mund ta pasurojë arsimin e lartë”.
Krahas softuerit, do të vihet në dispozicion edhe një gamë trajnimesh se si të përdoret ChatGPT Edu, si dhe mjete të tjera gjeneruese të IA-së. Universiteti tha se kjo do të “theksonte përdorimin etik, të menduarit kritik dhe zbatimin e përgjegjshëm”.





