Vrasja e biznesmenit italian Edoardo Sarchi në fshatin Salari të Tepelenës ka bërë jehonë edhe në mediat italiane.
Sipas Tgcom24, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Itali është në kontakt të vazhdueshëm me Konsullatën e Përgjithshme Italiane në Vlorë, me Ambasadën Italiane në Tiranë, si dhe me familjen e 44-vjeçarit, duke ndjekur me vëmendje hetimet dhe duke ofruar ndihmën e nevojshme konsullore.
Corriere della Sera shkruan se vdekja e Sarchit mbetet e mbuluar nga mister. Media italiane kujton kontributin e familjes Sarchi në politikë dhe biznes, si edhe bashkëpunimet e hershme me sipërmarrës shqiptarë. Po ashtu, citohet kushëriri i viktimës, Riccardo Barbieri, i cili shprehet se është i tronditur nga ngjarja dhe se e kishte takuar për herë të fundit Sarchin në ceremoninë mortore të babait të tij.
Ndërkohë, Rai Neës raporton se biznesmeni jetonte dhe punonte në Shqipëri prej gati 20 vitesh, së bashku me familjen e tij. Ndërsa shton se në Tepelenë ai kishte shkuar me ortakun e tij, i cili pas ngjarjes njoftoi menjëherë policinë.
Edhe La Repubblica i ka kushtuar një artikull rastit, duke theksuar se Sarchi kishte shkuar në Salari për gjueti, i shoqëruar nga ortaku i tij Egerem Braçi. Ky i fundit u shoqërua nga policia, së bashku me dy djemtë e tij, pasi vetëm pak orë para ngjarjes kishin darkuar në banesën e tyre.





