Njihuni me të gjithë yjet, ja kush janë fituesit e çmimeve të Globe Soccer Awards…

0

EMIRATET E BASHKUARA – Kjo e dielë ishte dita e ceremonisë së ndarjes së çmimeve në Globe Soccer Awards, një ceremoni që ka nisur të zhvillohet që nga viti 2010 në Dubai.

Ishte e lehtë të mendohej që për vitin 2025 triumfuesi të ishte Ousmane Dembele i PSG-së për kontributin e dhënë prej tij në triumfet e klubit parizien sezonin e kaluar. Sulmuesi mundi në këtë garë shokun e tij të skuadrës Vitinha, Kylian Mbappe dhe dyshen e Barcelonës, Lamine Yamal dhe Raphinha.

Në futbollin e femrave, trofeu i “Lojtares më të Mirë” i shkoi Aitana Bonmati të Barcelonës që e fiton këtë çmim për të tretin vit radhazi. Mesfushorja katalanase mposhti konkurrencën e Alexia Putellas, Alessia Russo, Mariona Caldentey dhe Melchie Dumornay.

Çmimi si “Trajneri më i mire” i vitit padyshim që shkoi te Paris Saint Germain, pasi ishte Luis Enrique ai që e fitoi atë duke lënë pas tij Enzo Maresca, Hans Flick, Mikel Arteta dhe Xabi Alonson.

Skuadra më e mirë e futbollit të meshkujve u shpall Paris Saint Germain, ndërsa në futbollin e femrave Barcelona.

Po kështu u dhanë çmime edhe për Sulmuesin, Mesfushorin dhe Lojtarin e ri më të mirë, që u fituan respektivisht nga Lamine Yamal, Vitinha dhe Desire Doue.

Çmimin si Drejtori Sportiv më i mirë e fitoi Luis Campos, ndërsa agjenti më i mirë u shpall Jorge Mendes.

Po kështu u nderua edhe Andres Iniesta me ish-mesfushorin spanjol që fitoi Çmimin e Karrierës, ndërkohë që një trofe shkoi edhe në duart e Cristiano Ronaldos, që u shpall Lojtari më i mirë i Lindjes së Mesme.

Në këtë ceremoni një risi ishte edhe edicioni i parë i Globe Sport Awards, në çmim që i jepet një sportisti jashtë botës së futbollit dhe për këtë vit, ky çmim i shkoi tenistit Novak Djokovic.