Në qytetin e Elbasanit është mbajtur promovimi i librit “Copëza Mozaiku” nga gazetari dhe radiokronisti i njohur sportiv, Ahmet Shqarri. Kjo është vepra e tretë e Shqarrit, e cila flet më konkretisht për figura të njohura të sportit shqiptar, duke prekur edhe tema më të gjera, por pa harruar kritikat ndaj futbollit shqiptar. Në këtë libër kujtohen gjithashtu edhe ngjarje historike, të cilat autori i ka përjetuar nga afër.
Në aktivitet morën pjesë bashkëpunëtorë të tij, trajnerë, sportistë dhe dashamirës të sportit nga qyteti i Elbasanit dhe jo vetëm. Të pranishmit kujtuan me nostalgji copëza nga historia e tyre personale gjatë punës me Ahmet Shqarrin. Sipas bashkëpunëtorëve të autorit , Shqarri zë një vend të veçantë në gazetarinë sportive shqiptare.
Ky libër, me 298 faqe, është një përmbledhje selektive e artikujve të shkruar gjatë një karriere gati 50-vjeçare, duke u fokusuar kryesisht në fushën e sportit, por duke prekur edhe tema kulturore, sociale dhe patriotike. Siç sugjeron titulli, artikujt janë “copëza” që formojnë një mozaik të pasur të përvojave, ngjarjeve dhe reflektimeve, duke pasqyruar evolucionin e shoqërisë shqiptare nga periudha komuniste deri në ditët e sotme.





