Aksidenti në Gramsh/ Konfirmohet humbja e jetës së infermjeres, në gjendje të rëndë mësuesja dhe shoferi

0

 

Konfirmohet zyrtarisht identiteti i një prej viktimave të aksidentit të rëndë rrugor të ndodhur në aksin Kabash–Porocan, në Bashkinë Gramsh. Dëshira Hoxha, infermiere, ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra, duke u bërë një nga viktimat e kësaj ngjarjeje tragjike.

Mësuesja Albana Boja ka mbetur e plagosur rëndë dhe është transportuar në gjendje kritike drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku po merr ndihmë mjekësore të specializuar.

Ndërkohë, drejtuesi i kamionçinës ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është transportuar për trajtim mjekësor në Spitalin e Gramshit.

Fillimisht u raportua se viktima ishin dy persona, por pas mbërritjes së forcave të policisë dhe shërbimeve zjarrfikëse në vendngjarje, u konstatua se në mjet ndodheshin tre persona. Sipas të dhënave paraprake, në sallën operative ishte raportuar nga vetë drejtuesi i mjetit, i cili ishte në gjendje të komunikonte, se mësuesja dhe infermierja kishin ndërruar jetë, informacion që më pas u sqarua dhe u përditësua nga autoritetet.

Aksidenti ndodhi kur mjeti tip kamionçinë doli nga rruga dhe përfundoi në humnerë, në një segment të vështirë rrugor. Në mjet udhëtonin tre persona pjesë e shërbimit publik në zonat rurale: një mësuese, një infermiere dhe drejtuesi i automjetit.

Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit, ndërsa dyshohet se kushtet e terrenit dhe vështirësia e rrugës mund të kenë ndikuar në humbjen e kontrollit të mjetit.

Gramsh/Informacion paraprak

Në aksin rrugor “Gramsh-Porocan”, kamioni me drejtues shtetasin Sh. K., 38 vjeç, ka dalë nga rruga. Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar drejtuesi i kamionit, shtetasi Sh. K., dhe shtetasja A. B., pasagjere, të cilët janë transportuar për në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa ka humbur jetën shtetasja D. H., 43 vjeçe, pasagjere në kamion.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.