Pasditen e së hënës është zhvilluar procesi zgjedhor për organet drejtuese të Dhomës Vendore të Avokatisë Elbasan, në zbatim të vendimit të Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, i cili kishte miratuar kalendarin dhe rregullat për zhvillimin e zgjedhjeve në të gjitha dhomat vendore në vend.
Procesi zgjedhor përfshinte votimin për kryetarin e Dhomës Vendore, sekretarin, një anëtar të Komitetit Drejtues, si dhe për përfaqësuesit e Elbasanit në Këshillin e Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë. Në garë për postin e kryetarit morën pjesë katër kandidatë: Demir Çiftja, Ledian Muzhaqi, Erind Gjeta dhe Aldi Kaci.
Nga 84 anëtarë të regjistruar, në procesin e votimit morën pjesë 68 avokatë, duke garantuar një proces përfaqësues dhe konkurrues. Pas numërimit të votave, fitues u shpall juristi Erind Gjeta, i cili mori 21 vota, i ndjekur nga Ledian Muzhaqi me 19 vota, Demir Çiftja me 16 vota dhe Aldi Kaci me 12 vota.
Ndërkohë, përfaqësues të Dhomës Vendore të Avokatisë Elbasan në Këshillin e Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë u zgjodhën avokatët Elis Kovaçi dhe Aldi Kaci, ndërsa në kryesinë e Dhomës Vendore u zgjodhën si anëtarë Shkëlqim Duka dhe Anton Prekaj.
Profili i Kryetarit të ri, Erind Gjeta
Zgjedhja e Erind Gjetës në krye të Dhomës Vendore të Avokatisë Elbasan vjen si rezultat i një formimi të konsoliduar akademik, përvoje profesionale dhe angazhimi të vazhdueshëm institucional.
I lindur më 2 nëntor 1988, Erind Gjeta ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin Juridik të Universitetit të Bolonjës, një nga universitetet më prestigjioze në Europë, ku u diplomua në vitin akademik 2012–2013. Gjatë studimeve është formuar në fusha të ndryshme të së drejtës, përfshirë të drejtën publike dhe private, tregtare, fiskale, penale, administrative, të sigurimeve private dhe të transportit.
Temën e diplomës e ka mbrojtur në lëndën e së Drejtës së Transportit, me titull:
“Disiplina e sektorit të shërbimeve ajrore në kuadrin legjislativ ndërkombëtar dhe komunitar”, duke reflektuar orientimin e tij drejt standardeve europiane dhe legjislacionit ndërkombëtar.
Arsimin e mesëm e ka përfunduar në gjimnazin “Dhaskal Todri” në Elbasan, ndërsa profili i tij profesional është pasuruar edhe nga eksperienca si përkthyes juridik.
Vizioni dhe angazhimet e Kryetarit të ri
Në fjalën e tij pas shpalljes së rezultatit, kryetari i sapozgjedhur Erind Gjeta theksoi se mandati i tij do të udhëhiqet nga parimet e transparencës, profesionalizmit dhe forcimit të rolit të avokatit në sistemin e drejtësisë.
Ndër prioritetet kryesore të mandatit të tij renditen:
- forcimi i unitetit dhe bashkëpunimit brenda trupës së avokatëve;
- rritja e rolit institucional të Dhomës Vendore të Avokatisë Elbasan në raport me institucionet e drejtësisë dhe pushtetin vendor;
- mbrojtja e interesave profesionale dhe dinjitetit të avokatëve;
- rritja e cilësisë së shërbimit ligjor përmes trajnimeve dhe bashkëpunimeve akademike e institucionale;
- digjitalizimi i shërbimeve të Dhomës Vendore;
- mbështetja e avokatëve të rinj përmes mentorimit dhe orientimit profesional;
- rritja e transparencës financiare dhe vendimmarrëse.
Erind Gjeta u shpreh se synimi i tij është që Dhoma Vendore e Avokatisë Elbasan të funksionojë si një institucion aktiv, përfaqësues dhe në përputhje me standardet më të mira europiane të profesionit ligjor.






