Elbasan:Marshimi i Paqes “Mjedisi dhe Ruajtja e Planetit”

0

 

Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar në Elbasan organizoi Marshimin e Paqes, i cili këtë vit erdhi me moton “Mjedisi dhe Ruajtja e Planetit”. Për një qytet i cili shpesh ka pasur problematika me ndotjen e mjedisit, tema ishte mjaft aktuale. Këtij eventi, i cili nisi në stadiumin “Elbasan Arena” dhe përfundoi në qendër të qytetit, iu bashkuan përfaqësues nga të gjitha besimet fetare, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, përfaqësues të pushtetit vendor, deputetë, shoqëria civile, qytetarë dhe nxënës shkollash.

Në mesazhet e tyre, përfaqësuesit e besimeve fetare theksuan se paqja e vërtetë nuk ndërtohet vetëm me fjalë, por me kujdes konkret për jetën, mjedisin dhe shëndetin e brezave që vijnë. Vetëm përmes bashkëpunimit të përbashkët të komunitetit, institucioneve dhe qytetarëve, mjedisi shndërrohet në trashëgimi dhe jo në barrë, duke garantuar një të ardhme më të pastër, më të drejtë dhe më të qetë për fëmijët tanë.

Duke vlerësuar bashkëpunimin ndërfetar në Shqipëri, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Z. Andis Salla, u shpreh se toka nuk është pronë e askujt, por trashëgimi e brezave që pasojnë.

Aktiviteti Marshimi i Paqes në Elbasan tashmë është shndërruar në traditë. Ai mbahet çdo fillim viti dhe në çdo edicion vjen me një moto të ndryshme, me qëllim sensibilizimin e shoqërisë, por edhe të institucioneve, mbi tema të ndryshme me impakt kombëtar dhe ndërkombëtar.