Një lëvizje e rëndësishme në merkato për Kristjan Asllanin. Mesfushori i Kombëtares shqiptare pritet të largohet nga Italia për herë të parë në karrierën e tij, duke u transferuar te gjigantët turq të Beşiktaşit.
Marrëveshja parashikon kalimin e Asllanit në formë huazimi nga Interi deri në qershor të vitit 2026. Klubi turk do të mbulojë plotësisht pagën e lojtarit gjatë kësaj periudhe, ndërsa kontrata nuk përfshin një klauzolë për blerje të detyrueshme në fund të sezonit.
Sipas planit, Asllani pritet të udhëtojë drejt Stambollit gjatë ditës së sotme për të finalizuar procedurat zyrtare. Ky transferim shënon një hap të ri në karrierën e tij, pasi për herë të parë 22-vjeçari do të aktivizohet jashtë futbollit italian.
Beşiktaş ka qenë klubi i vetëm jashtë Serie A që ka arritur të bindë Asllanin për këtë aventurë të re, duke i ofruar një rol më të rëndësishëm dhe hapësira më të mëdha aktivizimi. Për mesfushorin shqiptar, ky transferim shihet si një mundësi për rritje profesionale dhe për të fituar më shumë minuta në nivele të larta konkurrimi.





