Specialistët bullgarë rikthejnë shpresën për familjet me probleme riprodhuese në Korçë

0

Për herë të dytë brenda pak muajve, Fondacioni Kujtesa Bullgare dhe themeluesi i tij, Dr. Milen Vrabevski, organizuan dhe financuan ekzaminime mjekësore falas për familjet me probleme riprodhuese në Korçë, në bashkëpunim me fondacionin bullgar Dua Bebe dhe ekipin e Qendrës Mjekësore ReprobioMed, të drejtuar nga specialisti i njohur Dr. Georgi Nikolov.

Gjatë kësaj nisme, specialistët bullgarë konsultuan raste të konsideruara të vështira, përfshirë gra me rezervë ovariane të shteruar, si dhe familje me disa tentativa të pasuksesshme për riprodhim të asistuar. Sipas mjekëve, një pjesë e pacienteve kishin përjetuar shtatzëni të komplikuara ose të dështuara.

“Këtë herë tek ne erdhën vetëm gra dhe familje me probleme të rënda në ngjizjen e shtatzënisë. Konstatuam mangësi në trajtimet e mëparshme dhe gjatë dy ditëve të vizitave dhamë rekomandime konkrete. Nëse pacientët i ndjekin, rezultatet mund të jenë shumë pozitive. Niveli i mjekësisë riprodhuese në Bullgari është i avancuar dhe shpresojmë t’u kemi dhënë jo vetëm informacion të vlefshëm mjekësor, por edhe një qasje të re ndaj problemeve të tyre”, u shpreh Dr. Nikolov.

Vizitat falas, të zhvilluara në Balcan Medical Clinic në Korçë, përfshinë konsultë të specializuar, ekografi, PAP-test dhe spermogramë. Sipas organizatorëve, përveç ekzaminimeve mjekësore, pacientët morën orientim të detajuar për hapat e mëtejshëm të trajtimit.

Në hapje të nismës, ekipi bullgar dhe mjekët mikpritës mbollën simbolikisht një fidan ulliri, si shenjë e fillimit të ri dhe shpresës. Çdo rast i suksesshëm i lindjes së asistuar, në bashkëpunim mes specialistëve bullgarë dhe atyre shqiptarë, do të shënohet simbolikisht me një shirit të bardhë të vendosur në pemë.

Nisma u realizua me mbështetjen e Ambasada e Bullgarisë në Tiranë, duke synuar forcimin e bashkëpunimit mjekësor mes dy vendeve dhe mbështetjen e familjeve që përballen me sfida të rënda në rrugëtimin drejt prindërimit.