Belshi është kthyer në një pikë takimi për artistët dhe promovimin turistik, duke mirëpritur edicionin e pestë të Kolonisë së Piktorëve. Aktiviteti, që tashmë po kthehet në traditë, solli në zonën e Dumresë rreth 20 piktorë nga e gjithë Shqipëria.
Për disa ditë, ata kanë punuar mes natyrës karakteristike të zonës, duke hedhur në telajo jo vetëm peizazhet ujore dhe qetësinë e liqeneve, por edhe motivet dhe ngjyrat e pranverës që dominojnë këtë periudhë.
Qëllimi i kësaj kolonie artistike është promovimi i vlerave turistike të Belshit përmes artit pamor, duke e kthyer pikturën në një formë komunikimi me vizitorët.
Vetë artistët e vlerësuan këtë edicion si një nga më frymëzuesit.
Me zhvillimin e viteve të fundit, Belshi po forcon gjithnjë e më shumë profilin e tij si një destinacion turistik, ku përveç bukurive natyrore, tashmë edhe arti po merr një rol të rëndësishëm në tërheqjen e vizitorëve.





