Bashkia Gjirokastër: Kryetari dhe 18 punonjës nuk janë infektuar me HIV/AIDS

0

Bashkia Gjirokastër ka reaguar pas përhapjes në rrjetet sociale të lajmit se kryetari i bashkisë dhe 18 punonjës të institucionit rezultonin të infektuar me HIV/AIDS.

Në një reagim të shpërndarë për mediat, Bashkia i ka cilësuar këto pretendime të pavërteta, të fabrikuara dhe me qëllim krijimin e panikut te qytetarët. Sipas institucionit, nuk ekziston asnjë rast i tillë dhe të gjitha informacionet e shpërndara janë tërësisht të rreme.

Bashkia Gjirokastër e konsideron këtë një akt dezinformimi të rëndë që cenon dinjitetin e punonjësve, dëmton reputacionin e institucionit dhe synon të krijojë pasiguri në opinionin publik.

Në deklaratë theksohet se përhapja e informacioneve të rreme që shkaktojnë panik përbën vepër penale, sipas nenit 267 të Kodit Penal, dhe dënohet me gjobë ose burg deri në 5 vite. Bashkia thotë se do të ndjekë çdo rrugë ligjore për mbrojtjen e reputacionit të institucionit, të figurës së Kryetarit të Bashkisë dhe të dinjitetit të çdo punonjësi të saj.

Institucioni i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë që të nisin hetimet për identifikimin e autorëve dhe shpërndarësve të këtij lajmi të rremë. Bashkia thotë se do të ndjekë çdo rrugë ligjore

Po ashtu, Bashkia apelon që qytetarët dhe mediat të tregojnë kujdes, të verifikojnë informacionet dhe të mos bëhen pjesë e përhapjes së lajmeve të pavërteta.

Reagimi i plotë i Bashkisë Gjirokastër

Bashkia Gjirokastër dënon me forcën më të madhe përhapjen në rrjetet sociale dhe në çdo formë tjetër publike të informatave dhe pretendimeve të rreme, të fabrikuara dhe alarmuese, të cilat kanë për qëllim të qartë krijimin e një gjendjeje pasigurie dhe paniku te qytetarët. Pretendimet e shpërndara së fundmi, sipas të cilave Kryetari i Bashkisë dhe 18 punonjës të këtij institucioni rezultojnë të infektuar me virusin HIV/AIDS, janë tërësisht të pavërteta, të sajuara dhe pa asnjë bazë faktike apo reale.

Bashkia Gjirokastër e konsideron këtë jo thjesht si një akt dezinformimi, por si një veprim të rëndë, të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm, i cili synon të dëmtojë figurën e institucionit, të cenojë dinjitetin dhe integritetin e punonjësve të administratës vendore, të godasë reputacionin e Kryetarit të Bashkisë dhe, mbi të gjitha, të përhapë panik dhe pasiguri te qytetarët. Përmbajtje të tilla nuk kanë asnjë lidhje me të drejtën për informim, por përfaqësojnë një përpjekje dashakeqe për të helmuar klimën publike me të pavërteta dhe për të krijuar shqetësim të pajustifikuar në komunitet.

Përhapja e informatave apo njoftimeve të rreme, me fjalë, me shkrim apo me çdo mënyrë tjetër, me qëllim që të ngjallë një gjendje pasigurie dhe paniku te njerëzit, përbën vepër penale, të parashikuar shprehimisht nga neni 267 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, i cili parashikon dënim me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.

Në këtë rast, është e qartë se qëllimi i këtyre pretendimeve të rreme nuk është thjesht përhapja e një të pavërtete, por krijimi i panikut te qytetarët, cenuarja e qetësisë publike dhe nxitja e pasigurisë në opinionin publik. Pikërisht ky element i qëllimit e bën këtë sjellje të lidhet drejtpërdrejt me parashikimin e nenit 267 të Kodit Penal.