Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka zhvilluar kontrolle të befasishme në institucionet e vuajtjes së dënimit në Fier, Vlorë dhe Peqin, në kuadër të masave për forcimin e sigurisë dhe disiplinës në burgje.
Sipas njoftimit zyrtar, aksioni është drejtuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, së bashku me Drejtorin e Policisë së Burgjeve, Paulin Rajta.
Kontrollet janë ushtruar nga forcat operacionale të Policisë së Burgjeve, me fokus identifikimin dhe goditjen e sendeve të ndaluara brenda qelive.
Gjatë operacionit janë sekuestruar aksesorë të mjeteve të komunikimit që përbëjnë shkelje penale, mjete prerëse të improvizuara, si dhe sende të tjera të palejuara.
Për rastet e konstatuara është njoftuar Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Sistemit të Burgjeve, i cili pritet të ndjekë procedurat e mëtejshme ligjore dhe administrative.
Në reagimin zyrtar, Drejtoria e Burgjeve thekson se kontrollet do të vijojnë me intensitet të lartë në të gjitha institucionet penitenciare të vendit, ndërsa paralajmëron “tolerancë zero” ndaj çdo shkeljeje të sigurisë dhe disiplinës brenda burgjeve.





