Ish-presidentja Vjosa Osmani njoftoi sot për bashkëpunimin me Kreshnik Çollakun, duke theksuar përvojën e tij të gjerë në arsim, diplomaci dhe mbështetjen e kauzës së Kosovës.
Çollaku ka mbi 20 vjet eksperiencë si pedagog universitar, ku ka formuar breza studentësh me frymën e mendimit demokratik dhe përgjegjësisë publike. Ai ka shërbyer gjithashtu në Ambasadën e Shqipërisë në Washington, duke kontribuar në forcimin e mbështetjes amerikane për Kosovën dhe promovimin e çështjes së saj në qarqet diplomatike.
Si deputet dhe diplomat, Çollaku ka qenë aktiv në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës në forume rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe në avancimin e orientimit euro-atlantik të vendit.
Ai është një nga themeluesit e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990 dhe ka ruajtur lidhje të veçantë me zhvillimin dhe të ardhmen e Kosovës. Sot, si këshilltar i Presidentes për politikë të jashtme, Çollaku ka dhënë kontribut të rëndësishëm në forcuarjen e marrëdhënieve të Kosovës me SHBA-në dhe komunitetin ndërkombëtar.
Presidentja Osmani theksoi se Kuvendi i Kosovës ka nevojë për njerëz me integritet, përvojë dhe vizion, dhe se Çollaku do të sjellë këtë përvojë në shërbim të institucioneve dhe qytetarëve.
Postimi i Vjosa Osmanit:
Një jetë e ndërtuar mes universitetit, diplomacisë dhe kauzës së Kosovës.
Sot, bashkë me Lumirin, kemi kënaqësinë të prezantojmë Kreshnik Çollakun si pjesë të rrugëtimit tonë politik.
Niku e ka lidhur angazhimin e tij me mbështetjen e Kosovës, demokracisë dhe orientimit euro-atlantik të shqiptarëve.
Për më shumë se 20 vite si pedagog universitar, ai ka formuar breza studentësh me frymën e mendimit demokratik, përgjegjësisë publike dhe vizionit perëndimor.
Në periudhat më të rëndësishme të konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës, ai ka shërbyer në Ambasadën e Shqipërisë në Washington, duke kontribuar në forcimin e mbështetjes amerikane për Kosovën dhe promovimin e çështjes së saj në qarqet diplomatike amerikane.
Si deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe pjesë aktive e diplomacisë parlamentare, ai ka qenë një zë i fuqishëm në mbështetje të Kosovës në forume rajonale dhe ndërkombëtare, duke mbrojtur të drejtën e saj për pavarësi, sovranitet, integritet territorial dhe integrim euro-atlantik.
Kreshnik Çollaku është gjithashtu një nga themeluesit e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, brezi që rrëzoi diktaturën komuniste dhe e lidhi fatin e shqiptarëve me demokracinë dhe Perëndimin.
Mbi të gjitha, ai ka ruajtur gjithmonë një lidhje të veçantë me Kosovën, me njerëzit dhe të ardhmen e saj. Sot, ai është edhe shtetas krenar i Republikës së Kosovës dhe si këshilltar i imi për politikë të jashtme në Presidencë ka dhënë një kontribut të vyer në hapjen e dyerve të Kosovës me botën e në veçanti në thellimin e raporteve me SHBA.
Ne besojmë se Kuvendi i Kosovës ka nevojë për njerëz me përvojë, integritet dhe vizion, dhe te Kreshnik Çollaku do ta gjejnë një të tillë.
Mirë se vjen Kreshnik e na priftë e mbara në këtë rrugëtim vendimtar! 🇽🇰 ✌️





