Librazhdi firmos marrëveshje me AIROI Inc. për projekte të ekonomisë së gjelbër dhe krediteve të karbonit. Ja përfitimet

0

Në ambientet e Bashkisë së Librazhdit është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit mes kompanisë AIROI Inc. dhe Bashkisë Librazhd, me fokus zhvillimin e projekteve për mbrojtjen e mjedisit dhe ekonominë e gjelbër.

Në ceremoninë zyrtare morën pjesë kryetari i Bashkisë Librazhd, Mariglen Disha, CEO i kompanisë AIROI Inc., Badrinath Narasimhan, si dhe administratori i kompanisë në Shqipëri, Taulant Juba.

Sipas marrëveshjes, palët synojnë zbatimin e projekteve të pyllëzimit, rehabilitimin e zonave të degraduara dhe krijimin e mekanizmave modernë për përthithjen e karbonit, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe politikat mjedisore të Bashkimi Europian.

Projekti i prezantuar parashikon që investimi të mbulohet plotësisht nga AIROI Inc., ndërsa Bashkia Librazhd do të përfitojë 20% të të ardhurave neto nga shitja e krediteve të karbonit të gjeneruara nga projekti. Sipas përfaqësuesve të palëve, ky bashkëpunim synon të krijojë një model të qëndrueshëm zhvillimi, duke kombinuar mbrojtjen e mjedisit me përfitimet ekonomike për komunitetin lokal.

Ndër përfitimet e pritshme të projektit renditen:

rritja e sipërfaqeve të gjelbra dhe pyllëzimi i zonave të degraduara;
ulja e emetimeve të CO₂ dhe përmirësimi i cilësisë së ajrit;
parandalimi i erozionit dhe mbrojtja e tokës;
përmirësimi i biodiversitetit dhe ekosistemeve natyrore;
krijimi i vendeve të reja të punës për komunitetin lokal;
mbështetja e objektivave të Shqipërisë për integrimin europian dhe tranzicionin e gjelbër.

Bashkia Librazhd e cilësoi marrëveshjen si një hap drejt projekteve moderne mjedisore dhe zhvillimit të qëndrueshëm për zonën.