BRUKSEL- Grupi i punës për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, COELA ka miratuar sot raportin e Vlerësimit të Pikave të Ndërmjetme për progresin e deritanishëm të Shqipërisë. Mësohet se vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë rënë dakord për një draft të përbashkët, i cili DO të kalojë nesër në mbledhjen e ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së (COREPER).
“Drafti i qëndrimit të përbashkët të përkohshëm të BE-së (EUCP, bazuar në IBAR) sapo është miratuar në COELA pa asnjë kundërshtim të mëtejshëm nga shtetet anëtare. Hapi i radhës është kalimi i tij nesër pasdite për miratim tek ambasadorët e BE-së në COREPER, përpara se Konferenca Ndërqeveritare (IGC) të konfirmohet zyrtarisht”, thuhet në reagimin e Këshillit të Bashkimit Europian.
Ndërkohë që pritet që javën e ardhshme më 26 Maj të mbahet Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE. Në këtë konferencë Shqipëria do të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama dhe pas saj, hapet rruga për nisjen e mbylljes së negociatave.





